Ekonomia e vendit është duke rritur vit pas viti përqendrimin ndaj sektorëve të ndërtimit dhe të turizmit, të cilët janë duke ofruar më shumë hapësira për biznes.
Të dhënat e INSTAT ne “Regjistrin e ndërmarrjeve 2023” tregojnë se sektorët e ndërtimit, hoteleve, teknologjisë së informacionit dhe aktiviteteve te tjera financiare tërhoqën pjesën më të madhe të ndërmarrjeve të reja që u hapën në vitin 2023.
Vitin e kaluar numri total i bizneseve arriti në mbi 130 mijë, ku 5116 prej tyre ishin të reja të hapura në vitin 2023.
Zgjerimin më të madh në numër e kishte aktiviteti “Punime të specializuara ndërtimi” me 548 biznese të reja ose me një rritje vjetore 18%.
Kjo kategori përfaqësohet nga biznese të vogla që nën-kontraktohen nga ndërtuesit për profile të ndryshme punimesh. Ndërmarrjet e reja në këto aktivitete të ndërtimit zunë 10.7 % të totalit të bizneseve të reja që u hapën më 2023. Në këtë aktivitet u numëruan gjithsej 3527 biznese vitin e kaluar nga 2979 në vitin 2022.
Aktivitetet e akomodimit ishin të dytat për numrin e madh të bizneseve të reja me 512 të tilla më shumë në vitin 2023, me rritje vjetore mbi 23 %. Sektori i akomodimit po zgjerohet me ritme të shpejta vitet e fundit prej zhvillimeve pozitive në turizëm.
Vitin e kaluar numërohen gjithsej 2517 hotele dhe bujtina nga 2005 të tilla më 2022. Bizneset e reja hoteleri zunë 10 % te bizneseve që u hapen rishtas vitin e kaluar.