Sekuestrimi mbi 123 mijë paund në Portin e Durrësit/ Flet babai i shoferit: Nuk kishte dijeni, ka një muaj që ka filluar punë

Ditën e e djesshme autoritetet e portit të Durrësit sekuestruan një furgon, i cili ishte nisur nga Anglia drejt Shqipërisë, brenda të cilit u gjend shuma prej 123 mijë e 460 paundësh dhe 280 stërlinash, dhe jo 1 milion paund ashtu sikurse u pretendua në fillim. I arrestuari i vetëm deri tani është drejtuesi i mjetit Olsi Sefolli, 21 vjeç.

Babai i shoferit të arrestuar nga policia ka folur për gazetaren Klodjana Haxhiaj duke mohuar që djali i tij të kishte dijeni për to. Shkëlqim Sefolli deklaroi se djali kishte rreth një muaj që kishte nisur punë si shofer duke drejtuar mjetin nga Porti i Durrësit deri në Itali dhe anasjelltas.

Sa kohë ka që djali juaj Olsi punon në shërbimin postar Shqipëri-Angli?
Olsi ka rreth një muaj. Mund të jetë rruga e pestë ose e gjashtë.

Si e keni mësuar dje arrestimin e djalit tuaj?
Nëpërmjet kazanëve mediatike, një pjese të portaleve të papërgjegjshëm të cilët i fryjnë me ato shifra të cilat nuk janë aspak të vërteta. Me kontaktet që pata dhe me avokatin, i cili ka biseduar me djalin nuk janë asnjë nga ato që shkruajnë nëpër portale.

Si është e vërteta?
Çuni merrte furgonin këtu deri në Itali, merrte tjetrin e sillte këtej, kaq.

Ka qenë ndonjëherë në Angli?
Jo nuk ka qenë.

Si funksiononte, furgonin që ka ardhur dje në Torino kush e solli?
Është një shofer kompanie, nuk e di.

Çfarë kërkese keni ju si prind?
Kam kërkesë këto portalet mos t’i fryjnë sepse po na dëmtojnë shumë. Të kenë kujdes me ato çka japin.

A keni mundur ju të kontaktoni me djalin, çfarë ka thënë deri tani?
Nëpërmjet avokatit kemi kontaktuar. Djali thjesht ka ndërruar furgonët asgjë tjetër. Djali ka mbaruar shkollën elektrike dhe ka punuar elektrike. S’ka pas punë stabël.

Ju vetë, familja juaj me çfarë të ardhurash jetoni?
Me të ardhura, punoj. Me të ardhurat që na ndihmojnë emigrantët, vëllezërit që kemi jashtë.

[Burimi BW/ përshtati Priza.al]

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *