Policia e Shtetit ka konfiskuar 9 pasuri të paluajtshme, duke përfshirë biznese, truall dhe banesa, në emër të Florenc Çapjas, njërit prej anëtarëve kryesore të grupit ‘Çapja’ në Elbasan. Vendimi është marrë si rezultat i hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden Bullet”. 42-vjeçari është në kërkim ndërkombëtar për vrasje të dyfishtë.
Njoftimi i policisë:
Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Golden Bullet”, ka referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të datës 09.12.2022, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kanë konfiskuar pasuri të paluajtshme, në pronësi të shtetasit F. Ç., 42 vjeç (në kërkim ndërkombëtar për vrasje të dyfishtë) dhe të familjarëve të tij, konkretisht:
-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, në Udënisht, Pogradec;
-Pasuri e llojit truall me sipërfaqe 36.2 m2 dhe ndërtesë me sipërfaqe 25.73 m2, në lagen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;
-Pasuri e llojit arë+truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 214 m2;
-Pasuri e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 293.8 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;
-Pasuri e llojit truall+ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 120 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;
-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 720 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;
-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 764 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;
-Pasuri e llojit arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan;
-Subjekt me aktivitet lavazh dhe bar-kafe, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan.
Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera me burime kriminale, të cilat ky shtetas mund t’i ketë regjistruar në emër të tij apo të familjarëve të tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.