Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit.
Dhëndrit të ish kryeministrit Berisha i bllokohen edhe gjashtë llogari bankare si dhe aksionet në disa kompani.
Mëngjesin e kësaj të hëne oficerët e Policisë Gjyqësore kanë nisur punën në terren për kryerjen e sekuestros preventive për 25 pasuri të Malltezit.
Fillimisht ata kanë shkuar në banka të nivelit të dytë për të sekuestruar 6 llogari në emër të dhëndrit të ish-kryeministrit dhe më pas do të shkojnë në tre kompani, konkretisht në Homeplan shpk, ku Jamarbër Malltezi ka 45% të aksioneve, Magnet IMO shpk ku ka 100% të aksioneve dhe Magnet Gym and Fit, ku ka 60% të aksioneve.
Nga 16 apartamente, 7 prej tyre ndodhen në rrugën “Mustafa Matohoti”, ku njihet edhe si rrugica e ish-kryeministrit, pasi këtu jeton Berisha.