Policia vijon të “çmontojë” hap pas hapi të gjithë skenarin dhe mjetet që përdori grupi prej 6 personash në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje kjo e ndodhur më 19 prill në Shëngjin.
Me një njoftim të bërë publik, policia thotë se ka sekuestruar motorin, të cilin e përdori portugezi teksa u largua pasi kreu vrasjen e biznesmenit. Motori u gjet në fshatin Kakarriq, në afërsi të banesës së Edmond Haxhisë, i cili është shpallur në kërkim si porositësi i këtij krimi.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe kontrollet në terren, për sigurimin e të gjitha provave që shërbejnë për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së vrasjes së kryer më 19 prill, në Shëngjin.
Si rezultat i hetimeve, informacioneve të siguruara dhe kontrolleve të imtësishme në terren të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe forcat operacionale të Policisë së Shtetit, në afërsi të banesës së shtetasit të shpallur në kërkim E. H., në fshatin Kakarriq, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan motomjetin e përdorur nga ekzekutori, për vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj.
Grupi i posaçëm hetimor vijon hetimet dhe veprimet në terren, në funksion të dokumentimin të plotë ligjor të kësaj ngjarjeje. Ndërkohë, Policia e Shtetit është duke bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, për lokalizimin dhe kapjen e 6 shtetasve të shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj.