Sëmundjet kardiovaskulare/ Inxhinieri Ermand Mertenika për ‘Priza.al’: Një kontroll i vazhdueshëm i zemrës tuaj, mund të parandalojë sëmundje te rënda kardiake

Pandemia e Covid-19 ka ‘pushtuar’ botën, por shqiptarët kanë qenë me kohë të pushtuar nga “pandemia” e sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat mbajnë rekordin negativ të vdekshmërisë më të lartë nga çdo sëmundje tjetër.

Si pasojë e arsyeve të ndryshme, siç mund të jenë: Stresi, keq-ushqyerja, probleme të ndryshme sociale.., sëmundjet e zemrës zënë “fronin” në mbretërinë e sëmundjeve të popullit shqiptar, sidomos në 30 vitet e fundit.

Janë sëmundjet kardiovaskulare ato të cilat kanë shkaktuar numrin më të madh të vdekjeve në Shqipëri pa marrë parasysh moshën.

Në lidhje me këtë tematikë, Inxhinieri Biomedikal, Ermand Mertenika, ka sjellë një material për “Priza.al”, me anë të të cilit iu vjen në ndihmë qytetarëve që të reduktojnë problemet serioze që mund t’i shkaktohen nga zemra dhe mund t’u kushtojnë edhe jetën.

Mënyra më e mirë sipas tij, është që zemra të mbahet në vëzhgim herë pas herë, duke filluar që nga mjeku i familjes, e deri tek kontrollet dhe ndërhyrjet e duhura.

Nga Ermand Mertenika, Inxhinier Biomedikal

Sëmundjet e zemrës janë sëmundje të cilët vazhdimisht po tkurrin popullsinë në Shqiperi  si rezultat i disa faktorëve ky faktori dominant është “STRESI”.

Për të evituar avancimin e sëmundjeve të zemrës duhet bërë një kontroll kardiologjik.

Kontrollet e sëmundjeve të zemrës realizohen më anë të pajisjeve të mëposhtme:

Elektrokardiograma (EKG).
Eko e zemrës.
Monitorimi i ritmit të zemrës (holter ritmi)

ELEKTROKARDIOGRAMA (EKG)

Elektrokardiograma është një regjistrim i aktivitetit elektrik të zemrës dhe kryhet nga disa elektroda  që vendosen në sipërfaqen e lekurës, zakonisht në krahë, këmbë dhe mbi gjoks.

Funksioni i zemrës është të zgjerohet dhe tkurret për të dërguar gjak në trup dhe kjo gjë  kryhet me anë të disa impulseve elektrike brenda zemrës.

Këto impulse mund të dallohen nga elektrodat mbi lëkure dhe të trasmetohen tek aparatura e elektrokardiogramës me anë të disa kabujve. Këto impulse kthehen në valë nga elektrokardiografi  me ndihmën e një maje pene që leviz mbi një shirit letre.

Çdo cikël kardiak regjistrohet në një seri valësh.

Elektrokardiograma përdoret për të treguar:

–  Nëse ka ndonjë të rrahur zemre anormale ose aritm; (Sinjal Jo-uniform I zemres)

–  Nëse ka një uljë të furnizimit të zemrës me gjak ose oksigjen;

– Nëse ka ndodhur një atak kardiak në të shkuarën ose është duke ndodhur;

Cila pjesë e zemrës është dëmtuar;

– Nëse ka miokardit (inflamacion i miokardit).

EKO E ZEMRËS

Ekografia kardiake e njohur edhe me emrin ekokardiografi, fokusohet në marrjen e imazheve në kohë reale nga një organ kompleks që lëviz me shpejtësi, i pozicionuar në brëndësi të organizmit, siç është zemra. Diagnostikimi i patologjive kardiake kërkon interpretim të detajuar të strukturave që lëvizin në brendësi të zemrës siç janë muskujt kardiak, valvulat dhe gjaku.

Për analizimin e valvulave dhe të gjakut, ekzaminimi me Doppler jep një ndihmë shumë të madhe. Për analizimin e funksionit regjional të muskulaturës së zemrës ka disa aplikacione që e mundësojnë këtë.

Analizimi i çrregullimeve të kontraksioneve regjionale është shumë i rëndësishëm për sëmundjen e arterieve koronare dhe çrregullimet e ritmit

Qasja më e zakonshme deri tani ka qënë vlerësimi vizual i imazheve ekografike.

Por kjo është metodë jo kuantitative dhe që varet shumë nga operatori.

Kështu që vitet e fundit, prodhuesit e paisjeve ekografike  jane fokusuar në implementimin e metodave kuantitative të analizimit të funksionit regjional kardiak.

Zhvillimet më të reja fokusohen në ekografinë 3-dimensionale.

Ekografia e zemrës përdoret për të vlerësuar përmasat e dhomave dhe mureve të zemrës të cilat mund të ndryshojnë nga hipertensioni Arterial, infarkti i miokardit ose insufiçenca kardiake, për të vlerësuar aftesinë pompuese te saj, për të vlerësuar strukturen dhe punën e valvulave të zemrës, për të zbuluar anomali të tjera  që mund të shkaktojnë aritmi të rrezikshme për jetën dhe për të zbuluar në qoftë se ka lëng,  mpiksje gjaku ose masa tumorale në zona të ndryshme te zemrës.

STRESS TEST (PROVA USHTRIMORE)

Prova ushtrimore e thënë edhe stres test, është një metodë që bazohet në  regjistrimin  e  të dhënave të  EKG  dhe të presionit të gjakut ndërkohë që pacienti  i  nënshtrohet një sforcimi fizik  siç  është biçikleta ose tapeti  dhe që i mundëson mjekut të zbulojë se sa mirë zemra arrin të përballojë ngarkesën e saj.

Ky test shërben gjithashtu për të dhënë informacion rreth funksionimit të zemrës se pacientit gjatë stresit fizik dhe mund të tregojë nëse ka mungesë të furnizimit me gjak përmes arterieve që shkojnë në zemër.

Disa probleme të zemrës janë më të lehta për tu diagnostikuar kur zemra e pacientit sforcohet dhe rreh më shpejt.

Pacienti mund të ketë artrit ose ndonjë problem tjetër mjekësor që e bën të pamundur realizimin e provës ushtrimore.

Në këto raste mjeku i jep pacientit një medikament që shkakton një rrahje më të fortë të zemrës së pacientit. Ky quhet stres test farmakologjik.

Mjekët e rekomandojnë provën ushtrimore për të ndihmuar në diagnozën e Sëmundjes së Arterieve Koronare (SAK).

Ata gjithashtu me anë të këtij testi përcaktojnë gradën e kësaj sëmundje.

Prova ushtrimore mund të detektojë problemet e mëposhtme, të cilat sugjerojnë që zemra e pacientit  nuk po furnizohet mjaftueshëm me gjak gjatë aktivitetit fizik:

– Ndryshime anormale të frekuencës së zemrës ose të presionit të gjakut;

– Simptoma si vështirësia në frymëmarrje ose dhimbja e kraharorit, veçanërisht nëse ndodhin në sforco të lehtë;

– Ndryshime anormale në ritmin e zemrës ose aktivitetin elektrik të saj.

Gjatë provës ushtrimore, nëse pacienti nuk mund të rezistojë për aq kohë sa konsiderohet normale për moshën e tij, kjo mund të tregojë që një sasi e pamjaftueshme gjaku po furnizon zemrën e pacientit.

Pacientit mund ti nevojitet prova ushtrimore nëse ka dhimbje kraharori, veshtirësi në frymëmarrje ose  simptoma të tjera të pamjaftueshmërisë së furnizimit me gjak të zemrës.

Pacientit gjithashtu mund ti nevojitet prova ushtrimore nëse gjatë aktivitetit ndjen dobësi, ka rrahje të shpejta të zemrës ose ndjen rrahje jashtë radhe të zemrës. Nëse pacienti nuk ka dhimbje gjoksi por  vetëm marrje fryme gjatë aktivitetit fizik, mjeku gjithashtu mund të rekomandojë të kryhet prova ushtrimore.

Testi mund të përcaktojë nëse kemi të bëjmë me një problem nga zemra apo nga mushkëria që shkakton vështirësi në frymëmarrje. Mjeku mund të përdorë provën ushtrimore për skrinimin e sëmundjeve koronare në pacientët diabetikë.

Prova ushtrimore realizohet në zyrën e mjekut, në një qendër mjekësore ose në spital.

HOLTER RITMI

Holteri është një pajisje mjekësore që mat aktivitetin e zemrës, siç janë frekuenca dhe ritmi.

Mjeku e rekomandon holterin kur i duhet një informacion më i detajuar se ai që ofron EKG-ja e  thjeshtë rreth aktivitetit të zemrës. Monitorimi me Holter është një test i vazhdueshëm që regjistron frekuencën dhe ritmin e zemrës për 24 orë, 48 orë ose 7 ditë.

Pacientit i vendoset holteri nga stafi mjekësor i klinikës dhe më pas vazhdon aktivitetin e tij normal. Pajisja e holterit është shumë e vogël dhe mbahet në një mbajtës që varet rreth qafës së pacientit.

Pesë elektroda specifike të lyera me xhel (që ndihmojnë në përçimin sa më të mirë të sinjalit) vendosen në trupin e pacientit. Këto elektroda lidhen me pajisjen me anë të fijeve përkatëse.

Sinjalet elektrike të përfituara nga aktiviteti i zemrës kapen nga elektrodat të cilat e përçojnë më pas  sinjalin te pajisja e holterit. Pas 24 orëve, 48 orëve apo 7 ditëve (në varësi të ekzaminimit që ka kërkuar mjeku), holteri lidhet me kompjuterin e mjekut kardiolog dhe me anë të një programi të veçantë mjeku specialist lexon të dhënat e regjistruara gjatë kohës së monitorimit të pacientit.

Pasi te kalojë koha e rekomanduar e testimit, pacienti kthehet në klinikë për të hequr paisjen.  Mjeku kardiolog do të lexojë aktivitetin kardiak dhe do të analizojë rezultatet e monitorimit.

Ekzaminimi me holter është veçanërisht i dobishëm në përcaktimin e anomalive të ritmit të zemrës që janë të padhimbshme dhe të pa njohura nga pacienti.

Vendosja e holterit është e padhimbshme dhe mënyra më e mire për të identifikuar problemet potenciale të zemrës.

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *