Dy senatorë amerikanë u takuan të enjten me familje ukrainase në kryeqytetin e vendit Kiev dhe premtuan mbështetje të vazhdueshme humanitare për vendin e shkatërruar nga lufta ndërsa dimri po afron.
Senatori demokrat Chris Coons dhe Senatori republikan Rob Portman theksuan përkushtimin e tyre ndaj popullit të Ukrainës ndërsa vizitonin një qendër shpërndarjeje ndihmash në Kiev dhe flisnin me familjet që po përgatiteshin për një dimër të errët dhe të ftohtë, pa ngrohje të mjaftueshme dhe energji elektrike. Autoritetet ukrainase thonë se sulmet ruse në infrastrukturën energjetike kanë rrëzuar 40% të sistemit energjetik të vendit, duke ndërprerë energjinë për dhjetëra mijëra njerëz. Edhe pse ekipet i bëjnë riparimet sa më shpejt që të jetë e mundur, nuk është e sigurt nëse do të jenë në gjendje të vazhdojnë me riparimet.
“Rusia i është përgjigjur suksesit të Ukrainës në fushën e betejës duke sulmuar edhe një herë jo në fushën e betejës, por duke sulmuar civilët e Ukrainës. Duke u përpjekur të fikë dritat, të fikë ngrohjen, të mbyllë ujin. Është veprim frikacak. Është veprim brutal”, tha Senatori Portman në një konferencë për shtyp. “Nuk mund ta lejojmë këtë të kalojë”.
Që kur Rusia sulmoi Ukrainën në muajin shkurt, qeveria amerikane ka ofruar 1.5 miliardë dollarë ndihma humanitare për miliona njerëz në Ukrainë dhe në vendet fqinje, sipas Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan një investim 5-vjeçar prej 55 milionë dollarësh në infrastrukturën e sistemit të ngrohjes të Ukrainës për të mbështetur riparimet dhe mirëmbajtjen e tubave dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për ngrohjen e shtëpive, spitaleve, shkollave dhe bizneseve. Udhëtimi i Senatorëve Coons dhe Portman vjen më pak se një javë përpara zgjedhjeve të rëndësishme të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Senatori Coons tha se zgjedhjet nuk do të ndikojnë në mbështetjen e ardhshme për Ukrainën, pavarësisht nga rezultati.
“Unë jam i bindur se mbështetja e fuqishme dypartiake amerikane për luftën e popullit ukrainas do të vazhdojë në Kongres”, tha ai. “Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh një komb që lufton për liri dhe kjo është lufta më e rëndësishme për liri në botë sot”./voa