Në Beograd u mbajt ditën e sotme një protestë e djathtistëve serbë kundër propozimit evropian për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Folësit para protestuesve u prezantuan si studentë nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Beogradit dhe thanë se kjo ishte një “protestë demokratike”.
Protestuesit mbanin simbole nacionaliste dhe të krahut të djathtë.
Në platonë e Fakultetit të Filozofisë, organizatorët iu adresuan turmës, e cila brohoriste “tradhti” dhe “nuk do ta japim Kosovën”.
Organizatorët e protestës kërkuan që në takimin e Ohrit, më 18 mars, propozimi evropian të refuzohet publikisht, të merret vendim që të hiqet dorë nga negociatat dhe të mos zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe të nisin negociatat nën ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara.
Protestuesit marshuan përmes rrugëve të qendrës së Beogradit, drejt ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese të Serbisë.
Gjatë marshimit, protestuesit u dëgjuan duke brohoritur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” dhe “Serbia për serbët”.