Qeveria e Serbisë ka miratuar të enjten kërkesën ndaj misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për dërgimin e një numri të forcave të sigurisë në Kosovë. Ky vendim është marrë pas mbledhjes që ka mbajtur Qeveria e Serbisë, në të cilën ka marrë pjesë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Vuçiç ka thënë se kërkesa do të dërgohet në mbrëmjen e së enjtes në formë elektronike. Ai ka bërë të ditur se ajo do t’i dorëzohet komandantit të KFOR-it të premten në pikën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Vuçiç ka sqaruar se Serbia është duke kërkuar kthimin e 100 deri në 1.000 trupave, “sipas Rezolutës 1244”.
“Është në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ka thënë ai. Në një intervistë për Radiotelevizionin e Serbisë, Vuçiç ka thënë se e ka të qartë që kërkesa do të refuzohet. KFOR-i nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar hapin e Serbisë.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë. /REL
a.m/dita