Serbia reagon pasi Policia e Kosovës e arrestoi një serb për krime lufte

E ashtuquajtura Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, ka reaguar pas arrestimit të së martës të Zlatko Arsiqit, i cili akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Në reagimin thuhet se “Arsiqi është pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe se kishte kaluar testet e nevojshme për të punuar aty e tash po akuzohet për krime lufte”.

“Pyeja logjike është se si i ka kaluar të gjitha kontrollet dhe testet e nevojshme për të punuar në këtë organ dhe tash papritmas akuzohet për gjoja krime lufte? Kjo ngre dyshime se arrestimi i Arsqiti është i një natyre krejt tjetër, dhe këtë e mbështet edhe njoftimi i mbrëmshëm i Xhelal Sveçlës, që e shpalli Arsiqin fajtor edhe para gjykimit dhe vendimit të gjykatës”, thuhet në reagimin e kësaj Zyre, ndërsa ka thënë se do të ankohet te ndërkombëtarët.

Arsiq 45-vjeçar akuzohet se gjatë vitit 1999 ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve shqiptarë. Ai po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me paramilitaraët serbë ka marrë pjesë në dëbimin e shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës.

“Krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim. Drejtësia për secilin akt ç’njerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme. Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njëjti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrë pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, ka shkruar ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla në Facebook të martën mbrëma.

 

KOHA ka kontaktuar Policinë e Kosovës në lidhje me arrestimin e Arsiqit dhe nëse ai ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës. Por, deri në momentin e publikimit të tekstit nuk ka marrë përgjigje.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *