Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, provokoi sërish me pretendimet se masakra ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Reçak në Kosovë, më 1999, ka qenë “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.
Pas një vizite në një zonë pranë Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, Vulin tha se: “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.
Masakra, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë, ne nuk ishim as të aftë e as të zgjuar për t’i treguar të gjithë botës se çfarë gënjeshtre e tmerrshme ishte. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregojë të gjithë botës se na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë gënjeshtrave, kurse gjaku i fëmijëve tanë është mbi ata që e shpikën këtë gënjeshtër”,- ka thënë ministri serb, sipas të cilit serbët “nuk do të lejojnë më kurrë që të tjerët të shkruajnë për ta”.
Pas masakrës së Reçakut, kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, William Walker, i cili e vizitoi dhe vete vendin e ngjarjes, deklaroi se aty kishte ndodhur “krim kundër njerëzimit”.
/Priza.al/