Sërish tensione në veri të Kosovës, qytetarët kundërshtojnë kontrollin e policisë kundër kontrabandës së mallrave

Qytetarët në veri të Kosovës po kundërshtojnë një aksion të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave, aksion i cili është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, të Prishtinës dhe Pejës.

“Të gjitha veprimet policore janë duke u realizuar në koordinim me prokuroritë dhe gjykatat kompetente, me urdhër të së cilave janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, që gjenden në Mitrovicën e Veriut po raportojnë se në këtë komunë gjatë gjithë kohës po dëgjohen sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe auto-ambulancave. Qytetarët thonë se në mëngjesin e sotëm është dëgjuar edhe sirena e emergjencave në këtë komunë.

Policia e Kosovës është e vendosur edhe para farmacive në veri. Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t’i shpërndarë ata pasi ishin nisur drejt policisë.

Në këtë aksion, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës është e përfshirë edhe Dogana e Kosovës, ndërkaq policia ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *