Shkolla “Ibrahim Basha” në Kamëz nuk do të hapet as këtë vit shkollor pasi nuk kanë përfunduar akoma punimet.
Një ditë para nisjes së procesit mësimor, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, së bashku me Sekretarin Organizativ, Endrit Braimllari kanë dëgjuar nga afër shqetësimet e banorëve.
Gjatë fjalës së saj Xhixho tha se nga moshapja e shkollës penalizohen 900 fëmijë, duke shtuar se banorët janë të detyruar t’i çojnë 1 orë larg në shkolla të tjera. Më tej ajo i bëri thirrje kryebashkiakut të Kamzës Rakip Suli dhe ministres Evis Kushi që të japin llogari mbi datën se kur përfundojën punimet e shkollës.
“900 fëmijë nuk do të kryejnë procesin mësimor nesër që është dita e parë e shkollës. S’ka asnjë gjysmë të askujt që të punojë në këtë shkollë. S’ka tabelë se kur nisin dhe kur përfundojnë punimet. Prindërit i çojnë 1 orë larg fëmijët. Asnjë përgjigje, asnjë informacion se çfarë do të bëhet me këta 900 fëmijë në ditën e parë të shkollës. Koha për llogaridhënie ka ardhur. I bëj thirrje ministres Kushi se kur përfundojnë punimet. Zoti Suli nëse fëmija juaj do ishte pjesë e kësaj shkolle, çfarë do bënit?”, tha Xhixho.