Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Albert Dërvishi ka treguar nëpërmjet një deklarate për mediat të gjitha masat që kanë marrë uniformat blu për sezonin turistik 2021.
Sipas Dërvishit, Policia e Shtetit, do të jetë me forcat e saj, në të gjithë territorin bregdetar të vendit, për të garantuar qetësi për pushuesit. Ai tha gjithashtu, se nisma “Bregdeti Ynë” është në fazën e dytë të saj dhe ka si qëllim lirimin e zonave të zëna nga ndërtime pa leje.
Sakaq, Dërvishaj, apeloi lokalet që të zbatojnë masat e vendosura nga Komiteti Teknik, duke argumentuar, se muzika ndalohet pas orës 22:00 dhe lokalet duhet të mbyllen pas orës 00:00.
Deklarata e plotë e Albert Dërvishajt:
MASAT E MARRA NGA POLICIA E SHTETIT, PËR SEZONIN TURISTIK 2021
Përshëndetje,
Policia e Shtetit ka planifikuar dhe ka marrë një serë masash, me qëllim krijimin dhe garantimin e kushteve sa më të mira të sigurisë, për pushimet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në zonat turistike për periudhën e sezonit turistik veror, duke nisur nga Pikat e Kalimit Kufitar, në akset kryesore rrugore për qarkullimin sa më normal të automjeteve, për parandalimin e kriminalitetit në qendrat dhe banesat ku jetojnë, zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës, për menaxhimin e zhurmave në qendrat urbane apo zonat turistike.
Disa prej masave të sezonit turistik, në kuadër edhe të Task Forcës ndërinstitucionale të ngritur me Urdhër të Kryeministrit nr. 55 datë 24.6.2021, po zbatohen në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera, të cilat kanë detyrime sipas legjislacionit në fuqi, akteve nënligjore, por edhe Planit të Masave të miratuara me urdhrin e mësipërm.
Që në ditën e parë të muajit korrik, në zonat turistike bregdetare, ku si rrjedhojë e masave të marra dhe e statusit të vendit tonë “si një vend i hapur dhe i sigurt” edhe përsa i përket pandemisë së COVID-19, për shkak të pritshmërisë së ardhjes së pushuesve vendas dhe të huaj janë angazhuar 1607 punonjës të Policisë së Rendit, Policisë Rrugore, Ndërhyrjes së Shpejtë, Kufirit dhe Migracionit, Policisë Kriminale etj, të cilat kanë në mbështetje edhe 185 mjete të tjera (autovetura, mikrobuzë, motoçikleta, biçikleta, mjete lundruese, radarë, dronë etj). Këto mjete do t’i shërbejnë rritjes së gatishmërisë së shërbimeve, reagimit në kohë ndaj situatave të prishjes së rendit apo të qetësisë, rregullimit të trafikut rrugor apo thirrjeve për emergjencë nga shtetasit për situata të caktuara që mund të kenë nevojë.
Referuar eksperiencës së viteve të kaluara, gjatë këtij sezoni turistik janë planifikuar në zonat e plazheve punonjës policie me uniformën verore dhe me biçikleta, të cilët kanë për detyrë të patrullojnë në këto zona për parandalimin e krimit, për forcimin e policimit komunitar dhe për t’iu ardhur në ndihmë pushuesve në nevojë.
Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë së Shtetit janë marrë masat për pajisjen e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, me uniformën e re verore dhe po punohet për kompletimin e punonjësve të Policisë me këtë uniformë.
Edhe nga Policia Kufitare dhe Migracionit janë parashikuar masa si në drejtim të planifikimit të kontrollorëve shtesë në Pikat e Kalimit Kufitar, rritjen e kontrollit në kufirin e gjelbër për parandalimin e kontrabandimit të emigrantëve kryesisht nga vendet e treta dhe në tërësi për parandalimin e krimit ndërkufitar, por edhe për forcimin e kontrollit në kufirin blu.
Strukturat qendrore dhe vendore të Policisë janë në monitorim të të gjitha shërbimeve policore në veçanti në të gjithë zonën bregdetare, duke ndarë edhe përgjegjësinë e drejtuesve të strukturave policore sipas sektorëve dhe plazheve konkretë, me qëllim që të jemi sa më pranë qytetarëve, që ata të kryejnë pushime sa më të qeta.
Puna dhe masat për sezonin turistik nuk kanë filluar tani. Në vlerësim të detyrave të përcaktuara nga Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministri i Brendshëm, lidhur me mbrojtjen e territorit, zbatimin rigoroz të Kodit Penal nga aktivitetet e paligjshme si zaptimi i plazheve, ndërtimet pa leje, prerja dhe djegia e pyjeve, prekja e lumenjve dhe liqeneve, dëmtimi i zonave të mbrojtura natyrore dhe kulturore, mbrojtja e zonave turistike dhe marrja e masave parandaluese nga këto aktivitete të paligjshme në akset kryesore rrugore në të gjithë vendin, u evidentua situata në terren dhe u ngritën Task Forcat vendore të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Në bazë të një Plani Pune të studiuar dhe bashkërenduar mirë, filloi puna për mbështetjen e IKMT-së, për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në disa zona turistike në të cilat u evidentuan paligjshmëri.
Nga fillimi i kësaj detyre deri në datën 30 qershor 2021, nga strukturat policore janë evidentuar 324 vepra penale në fushën mjedisore, në të cilat janë të implikuar 354 autorë, nga të cilët 40 të arrestuar në flagrancë.
Aktualisht strukturat e Policisë së Shtetit janë duke zhvilluar fazën e dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra. Deri tani janë proceduar penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”, 45 administratorë, janë hequr rreth 5,955 mijë shezlongë e 2,445 çadra të vendosura në mënyrë të kundërligjshme.
Në zbatim të Udhëzimit të Përbashkët të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrit të Brendshëm, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe strukturat vendore të Policisë janë planifikuar dhe janë marrë masat shtesë gjatë sezonit turistik edhe përkufizimet e qarkullimit të mjeteve të rënda për transportin rrugor të mallrave, në ditët e pushimeve javore dhe festave zyrtare. Për këtë, nga drejtoritë vendore të policisë ka filluar zbatimi i detyrimeve për kufizimin e lëvizjes së këtyre automjeteve duke filluar nga data 15 qershor 2021dhe do të vazhdojnë deri në15 shtator 2021.
Në vlerësim edhe të shqetësimeve që vijnë nga aksidentet rrugore, Policia Rrugore ka hartuar një plan të veçantë masash për sezonin turistik, duke mbështetur strukturat e këtij shërbimi në zonat bregdetare me punonjës policie, mjete dhe pajisje të tjera, me qëllim parandalimin e aksidenteve.
Nisur nga ankesat e viteve të viteve të tjera, por edhe nga disa ankesa gjatë muajt qershor 2021, për moszbatimin e orës së ndalimit të muzikës sipas Aktit Normativ nr. 23 datë 26.5.2021 dhe Urdhrit të Ministrit të Brendshëm nr. 237 datë 27.5.2021, e cila është ora 22:00, për prishje të qetësisë së pushueseve si pasojë e muzikës së lartë në lokalet në zonën bregdetare, por edhe në zona të banuara, në zbatim të detyrave të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është kërkuar reagim i menjëhershëm i strukturave të Policisë së Shtetit lidhur me këto shkelje, por edhe për krimet mjedisore në zonat bregdetare apo kudo ku që ato kryhen. Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes në lokale, restorante dhe që shoqërohet me muzikë,që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve të mbylljes së lokaleve (ora 24:00), të ndalimit të muzikës (ora 22:00).
Me qëllim shkëmbimin e praktikave policore, mbështetjen në parandalimin e ngjarjeve kriminale që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, forcimin e sigurisë rrugore, si dhe parandalimin dhe luftën kundër veprave penale me karakter ndërkufitar, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në zbatim të Marrëveshjeve të Qeverive të Republikës së Shqipërisë me atë të Malit të Zi dhe Qeverisë së Kosovës, kanë nënshkruar dy protokolle bashkëpunimi të Policisë së Shtetit me Policinë e Kosovës dhe Policinë e Malit të Zi, të cilat do të zbatohen gjatë sezonit turistik 2021.
Sipas këtyre protokolleve, Policia e Kosovës ka dërguar punonjës të Policisë Rrugore, të cilët do të kryejnë detyra në bashkëpunim me policinë tonë rrugore, në aksin rrugor “Rrugës e Kombit” dhe në aksin Milot-Shëngjin-Shkodër, ndërsa në Malin e Zi nga Policia e Shtetit do të dërgohen punonjës policie në Ulqin dhe Budva.
Policia e Shtetit, në përmbushje të misionit dhe të detyrave të saj institucionale, do të ushtrojë kontrolle të pandërprera dhe do të marrë masa në vlerësim edhe të shqetësimeve të ngritura nga pushuesit në zonat bregdetare apo nga banorët në qendrat e banuara, duke ndëshkuar çdo subjekt që nuk ndalon muzikën sipas orarit të përcaktuar ose gjeneron zhurmë tej normave të lejuara, në qendrat urbane, zonat turistike dhe ato bregdetare. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon që të gjitha institucionet që ligji i ngarkon me detyra në këtë drejtim, si dhe subjekteve për bashkëpunim gjatë sezonit turistik.
Policia Kufitare dhe punonjësit e Policisë së Rendit të planëzuar me shërbim në zonat bregdetare, do të evidentojnë, bllokojnë dhe ndëshkojnë çdo shtetas që keqpërdor mjetet lundruese apo motorët e ujit, duke u bërë rrezik i shtuar për jetën e shtetasve të tjera që argëtohen në det apo pushojnë në plazh, duke bashkëpunuar me njësitë e pushteti vendor dhe kapiteneritë e porteve, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me pushuesit në det.
Me qëllim rritjen e besimit të publikut ndaj Policisë, është kërkuar nga punonjësit e Policisë së Shtetit, që të zbatojnë kërkesat e Kodit të Etikës në komunikim me shtetasit shqiptarë dhe të huaj dhe të jenë të papajtueshëm jo vetëm me sjellje jo etike, por edhe me veprime të tjera të cilat do të cenonin imazhin e policisë në publik dhe më keq akoma, do të përbënin akte korruptive dhe të dënueshme penalisht.
Së fundi, Policia e Shtetit apelon të gjithë shtetasit, në veçanti përdoruesit e rrugës si drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, çiklistët, por edhe këmbësorët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton çdo qytetar që të denoncojë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencës 112, për çdo paligjshmëri apo shqetësim që do të kenë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm, profesional e të paanshëm.
Ju faleminderit!