Luhen sot në mbrëmje ndeshjet e tjera të raundit të dytë të fazës së grupeve, ku spikat sfida e “Allianz Stadium” mes Juventusit dhe Chelseas. “Zonja e Vjetër” vjen në këtë përballje pas dy fitoreve radhazi në kampionatin italian që i ka rritur moralin.
Por skuadra e Massimiliano Allegrit nuk do të ketë në radhët e saj dy emra të rëndësishëm: Paulo Dybala dhe Alvaro Moratën, që u dëmtuan në sfidën me Sampdorian, ndërkohë që do të mungojë edhe Ramsey.
Kjo përballje me Chelsean shihet nga Juventusi si momenti më i mirë për të ndryshuar inercinë e sezonit. Sigurisht, që Chiellini e të tjerët kanë detyrën që të mos lënë hapësira Chelseas, që është përforcuar akoma më shumë në sulm me Romelu Lukakun, por edhe “blutë” e Londrës kanë telashet e tyre.
Një ndeshje tjetër të merr shumë vëmendje është ajo mes Villarrealit dhe Manchester United, që do të luhet në “Old Trafford”, dy skuadra që u bënë protagoniste të finales maratonë të Europa League në sezonin e kaluar.
Që nga maji i këtij viti kanë ndryshuar shumë gjërat te Manchester United, që këtë radhë ka një armë më shumë, Cristiano Ronaldon, i transferuar këtë verë në radhët e “Djajve të Kuq”.
Në ndeshjet e tjera, Barcelona do të luajë në Lisbonë ndaj Benficas për të marrë fitoren e parë, ndërkohë që Bayerni po në këtë grup do të luajë ndaj Dinamos së Kyiv.
/Priza.al/