‘Sfilatë’ në zyrë dhe video në ‘Tik-Tok’, rihapet hetimi për gjyqtaren Enkeleda Kapedani!

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të riçelë hetimin për gjyqtaren Enkeleda Kapedani, për hetimin dhe verifikimin e disa rrethanave të reja.

KPK bën me dije se për këtë shkak seanca e shpalljes së vendimit përcaktuar në datë 19.11.2021 nuk do të zhvillohet. Në seancën dëgjimore, KPK ngriti dyshime për disa transferta të bëra nga bashkëjetuesi, ndërsa DSIK kishte dorëzuar dy raporte, në të parin e konsideronte të pastër nga kriteri figurës dhe integritetit,  te i dyti vlerësonte se Kapedani ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme.

Vetë Kapedani ka zgjedhur të mos mbrohet me avokat, duke u paraqitur e vetme para trupës së Vettingut. Trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i lexoi gjetjet e procesit të vetingut gjyqtares së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, duke theksuar se nuk janë hasur probleme me pasurinë e saj. Ajo rezulton se ka një shtëpi të blerë me kredi, ndërkohë që iu kërkua llogari për përdorimin e një makine që gjyqtarja tha se e ka deklaruar. Blerja e një mjeti tip kamion nga bashkëjetuesi në vlerën e 9.5 milionë lekë dhe shitur 32 mijë euro ishte një nga gjetjet e KPK-së.

Kapedanit iu kërkua shpjegime edhe për shuarjen e dënimit të Viktor Ymerit, për të cilin gjyqtarja solli prova se nuk ishte ajo që kishte ndryshuar dënimin e përjetshëm, por një trupë e vjetër gjyqësore. KPK e pyeti edhe nëse ishte shkelje etike publikimi i disa videove në Tik-Tok dhe Kapedani u shpreh se çështja e etikës i takon KLGJ-së dhe jo vettingut e për rrjedhojë nuk e komentoi fare.

Më herët ILDPK-ja ka deklaruar se Kapedani nuk ka burime të ligjshme për pasurinë e saj dhe se nuk ka bërë deklarime të sakta.  Kapedani u pezullua nga detyra pas videove që i dolën në media, ku shfaqej duke bërë sfilandë në zyrat e gjykatës dhe duke dëgjuar muzikë “gangsta”. Gjyqtarja është justifikuar për sfilatat e saj në rrjetet sociale, duke thënë se videot dhe foto ia ka bërë vetes për të hequr stresin dhe lodhjen që kishte nga puna.

 

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *