Partia Demokratike, e përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetares së bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufit.
Opozita e akuzon Bufin për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Në kallëzim shpjegohen shkeljet që sipas PD, kryebashkiakja e Roskovecit ka kryer me dashje dhe personalisht gjatë fushatës zgjedhore kundër punonjësve të administratës publike për t’i penguar ata të votojnë lirisht – shkelje si kërcënime, presione dhe shantazhe.
Më tej në kallëzim thuhet se kryebashkiakja që kandidon për një mandat të dytë në drejtimin e Roskovecit, diskriminon arsimtaren Dhurata Malka për shkak të bindjeve politike dhe intimidon sanitaren në shkollën e fshatit Suk.