Kryedemokrati Sali Berisha u ndal sot në Lushnjë, ku prezantoi Eduard Sharkën si kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet lokale të 14 Majit.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit, Sharka u ndal te përpjekjet që mazhoranca në pushtet po bën për të manipuluar procesin, duke ushtruar presion ndaj qytetarëve të Lushnjes.
Sipas Sharkës ata kërcënohen me pushimin e tyre nga puna apo të familjarëve të tyre.
Ai u shpreh se një sërë shërbimesh u janë hequr qytetarëve të qytetit të Lushnjes, duke nisur nga Gjykatat, prokuroria, e së fundmi do t’i hiqet edhe Hipoteka, çka ka vështirësua jetën e banorëve.
“Kam bindjen se programi ynë do vihet në jetë sepse vullneti juaj do ta bëjë realitet. Është vullneti i njerëzve të lirë e me parime, që respektojnë veten e Kombin. Presioni për vendin e punës së familjarit dhe zinxhiri për blerjen e votës nuk i lidh dot qytetarët e Lushnjes.
Injorimi e shpërfillja nuk janë fruta që do vijojnë të përtypin qytetarët, as tallavaja e ditëve të fundit.
Nuk mund të pranojmë të harxhohen miliona për të mbrojtur territorin gjoja nga ndërtimet pa leje, ne do luftojmë të mbrojmë territorin nga shpopullimi. Me dhjetra policë ndjekin çdo njeri që kërkon të riparojë shtëpinë, programi ynë synon të mbrojë vendin nga largimi i të rinjve.
Lushnjes i hoqën gjykatën, spitalin rajonal, së fundi do heqin edhe hipotekën, lushnjarëve po u vështirësonte jeta dita ditës. Jemi këtu për tu thënë STOP, jemi alternativa ndryshe”, tha ai.