Një situatë aspak e këndshme ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Visokë të Mallakastrës. Qytetarët e kësaj zone ishin ankuar dhe kishin kërkuar ndihmën e gazetarëve pasi Edmond Bejtja, drejtori i kompanisë “Terra Oil Swiss” ka shkatërruar rrugët e fshatit me makineritë e nxjerrjes së naftës. Teksa mediat lokale bashkë me banorët po i kërkonin llogari për atë që ka ndodhur me mjetet e firmës që drejtohet prej tij, drejtori i kompanisë, me ‘gojën plot’ ka ofenduar njërën nga gazetaret e cila po e pyeste se si qëndron e vërteta e ankesave që kanë banorët. Ai i është drejtuar me fjalët: ‘Mos ma çaj tr****’.
Teksa videoja e tij po qarkullonte në rrjetet sociale me shpejtësi dhe se ende nuk kishte ardhur një kërkesë faljeje për fjalorin e përdorur, Edmond Bejtja bëri një postim në Facebook ku jo vetëm nuk kërkoi falje, por e shikon të udhës të sqarojë se fjala që ai ka përdorur nuk është aspak e rëndë pasi kryeministri i vendit, Edi Rama ka përmendur në mes të Parlamentit fjalën ‘shkër****’. Sipas tij, gazetarët nuk kanë pse të jenë aspak të indinjuar për problemet që ka në fshat sepse ai do t’i zgjidhë vetë ato siç ka bërë gjithmonë.
Postimi i plotë në Facebook:
Meqë sot u bëra protagonist i një episodi të pakëndshëm, një pjesë të materialit filmik të të cilit po e shpërndajnë mediat gjithë qejf, them se e kam edhe unë të drejtën ta shpërndaj atë material, natyrisht atë pjesë që shpërndanë ata që u pëlqeu. Pra u ndodha në një debat me një grup banorësh të fshatit ku kompania që unë punoj ushtron aktivitetin e saj, të cilët ankohen prej kohësh për dëmtimet e rrugëve të fshatit nga automjetet e tonazhit të rëndë që lëvizin për nevoja të kompanisë, me të cilët isha takuar përpara gati dhjetë ditësh duke u premtuar fillimin e punimeve të cilat nuk kanë nisur ende. Këtë rradhë u paraqitën pranë zyrave të kompanisë sëbashku me disa gazetarë, dhe pasi refuzuan të vinin në zyrë me një përfaqësi prej disa vetësh sëbashku me gazetarët (ftova një pjesë për pamundësi hapësire për të gjithë), u detyrova të dal t’i takoj të gjithë, dhe pa shumë mundim vura re se çuditërisht më të acaruarit ishin gazetarët, disa pyetje të të cilëve ishin të pahijshme (gazetarët nëse do ishin profesionistë do ta dinin se e hijshmja nuk qëndron vetëm tek fjala por edhe tek mendimi dhe mënyra apo toni i të shprehurit), dhe pasi u sigurova se isha në regjistrim, u solla siç e meritonin.
Po i them këto dy fjalë në respekt të atyre që më kanë telefonuar për të shprehur atë që mendojnë mbi atë që panë, e në pamundësi për ta pasur të disponueshëm të gjithë debatin, i ftoj gazetarët e lartpërmendur të mos shqetësohen më shumë sesa duhet për problemet e fshatit ngaqë ato i zgjidh vetë siç i kam zgjidhur, e po ashtu, ta shfaqin të gjithë atë çfarë u tha atje meqë regjistruan gjithçka, duke u sqaruar se personalisht jam i kënaqur edhe me kaq sa shfaqën për publikun. (P.S. Këtyre të Syri-t, që i shoh se janë skandalizuar me gjuhën time, u kujtoj se kryeministri i tyre ka zënë në gojë “shkërdhimin” në parlament, para të cilit “trapi” im është lule).
Si duket ndjenja e protagonizmit (siç e thotë edhe ai vetë) po i pëlqen dhe nuk dëshiron ta lërë me kaq në Facebook. Ai vijon më tutje ofendimet ndaj gazetares me anë të komenteve që ka bërë në postimin e tij.
Në komentet e bëra në profilin e tij në Facebook, Bejtaj nuk është mjaftuar më fjalën ‘tr**’, por ka vijuar ofendimet ndaj gazetares. Ndër të tjera, ai e quan gazetaren ‘ka**’ si dhe ‘pi**sëme’.
Me ironi ai vijon të shkruajë se një pjesë e skandalit që kishin filmuar mediat, ishte edhe cigarja që ai mbante në dorë, duke shtuar se mbase gazetarët donin që ai t’u rrinte gatitu.
/Priza.al/