Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për votimin e një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që i kërkon Hamasit të pranojë një marrëveshje të propozuar armëpushimi, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të takohet të hënën me udhëheqësit në Egjipt dhe Izrael, në një përpjekje për të arritur një ndërprerje luftimesh.
Sekretari Blinken pas bisedimeve me presidentin egjiptian Abdel Fattah El-Sissi në Kajro prtet të shkojë më vonë shkon në Izrael për t’u takuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant. Shefi i diplomacisë amerikane pritet të qëndrojë gjithashtu në Katar dhe në Jordani, ku do të marrë pjesë në një konferencë të përqendruar në ndihmën humanitare për Gazën.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Izraeli do të pranonte propozimin për armëpushim, i cili përfshin një ndërprerje luftimesh, lirimin e disa pengjeve nga Gaza, lirimin e të burgosurve palestinezë që mbahen në Izrael, shtimin e ndihmës humanitare për palestinezët, tërheqjen e trupave izraelite nga zonat e populluara të Gazës dhe kthimin e civilëve palestinezë në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre. /VOA