Britania ka vënë trupa dhe avionë në gatishmëri në një bazë jashtë shtetit në rast se ato nevojiten për të transportuar stafin e ambasadës dhe qytetarët nga Sudani.
Aeroporti ndërkombëtar i Khartoum është mbyllur për shkak të dhunës, me ambasadat e huaja përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe po kërkojnë rrugë të tjera për të evakuuar qytetarët.
Arabia Saudite ka njoftuar gjithashtu se po organizon evakuimin e qytetarëve sauditë. Ushtria sudaneze tha se një pjesë e misionit diplomatik të Arabisë Saudite tashmë ishte evakuuar.
Konflikti ka hyrë në javën e dytë dhe luftimet vijojnë pavarësisht se të dyja palët ushtria dhe grupi paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë ranë dakord për një armëpushim tre-ditor për të shënuar festën myslimane të Fitër Bajramit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 413 persona janë vrarë dhe 3.551 janë plagosur në luftimet në mbarë Sudanin, por numri real i viktimave besohet se është më i lartë, pasi shumë të plagosur nuk kanë qasje në spitale.