Pesë vendet e Quint-it thanë se pas bojkotit nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit serb të zgjedhjeve të 23 prillit për katër kryetar komunash dhe dy asamble komunale, rezultatet nuk janë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna.
Në një deklaratë të përbashkët, pesë vendet e Quint-it, ku përfshihen Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve në rajon që urgjentisht të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme përfaqësuese në këto komuna.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë nga kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thuhet në deklaratën e përbashkët të vendeve të Quint-it.
“Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë nevojën për përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, përfundon deklarata.