Administrata e Presidentit Biden do të dërgojë një personel ushtarak prej 1,500 trupash, në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën. Vendimi vjen në prag të skadimit të afatit të kufizimeve të lidhura me pandeminë e koronavirusit, gjë që pritet të sjellë një rritje të numrit të imigrantëve në kufi. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i Pentagonit gjeneral brigade Pat Ryder.
Zoti Ryder tha se Pentagoni miratoi të martën kërkesën për trupa bërë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili menaxhon kufirin.
Personeli ushtarak nuk do të merret me detyra që lidhen me zbatimin e ligjit, por vetëm me çështje që lidhen me futjen në sistem të të dhënave të imigrantëve, e detyra të tjera administrative, në mënyrë që punonjësit e agjencisë së Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit të përqëndrohen tek puna në terren. Trupat do të dërgohen atje për rreth 90 ditë, dhe qëndrimi i tyre në kufi mund të zgjatet, nëse do të shihet e nevojshme.
Kufizimet e lidhura me pandeminë e COVID-19-s u dhanë mundësi zyrtarëve amerikanë të kthejnë mbrapsht me dhjetëra mijëra imigrantë që kishin mbërritur në kufirin jugor të vendit. Por këto kufizime do të hiqen më 11 maj, ndaj dhe zyrtarët në kufi po përgatiten për një rritje të pritshme të numrit të imigrantëve. Por edhe mes kufizimesh, administrata është përballur me një numër rekord njerëzish që kalonin kufirin. Presidenti Joe Biden është përgjigjur duke marrë masa ndaj atyre që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, si dhe duke ofruar alternativa për të shmangur një udhëtim të rrezikshëm e shpesh me pasoja vdekjeprurëse.
Veprimet e Presidentit Biden, pasojnë lëvizje të ngjashme të ndërmarra nga paraardhësi i tij, Donald Trump, i cili, krahas forcave të Gardës Kombëtare, vendosi personel ushtarak aktiv në kufi, për të ndihmuar personelin e patrullës kufitare në përpunimin e të dhënave për karvanë të tërë me imigrantëve. Aktualisht në kufi ka rreth 2,700 trupa të Gardës Kombëtare.
Për Presidentin Biden, i cili njoftoi një javë më parë nisjen e fushatës për rizgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë, vendimi sinjalizon se administrata e tij po i trajton me seriozitet përpjekjet për të ulur numrin e kalimeve të paligjshme në kufiri, të cilat kanë qenë një burim i fuqishëm i sulmeve nga ana e republikanëve. Këto masa shërbejnë gjithashtu edhe si një mesazh drejtuar atyre që potencialisht të kalojnë kufirit në mënyrë të paligjshme, që të mos tentojnë ta bëjnë një që të tillë. Por nga ana tjetër këto veprime mund të bëhet shkak për një krahasim potencialisht të padëshiruar, të zotit Biden me paraardhësin e tij republikan, zotin Trump, politikat e të cilit, demokrati Biden i ka kritikuar shpesh. Ndërkohë Kongresi, ka refuzuar të ndërmarrë ndonjë veprim thelbësor në lidhje me imigracionin.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jean-Pierre minimizoi çdo ngjashmëri të mënyrës se si zoti Biden po e trajton çështjen e rritjes së numrit të imigrantëve me mënyrën se si zoti Trump përdori trupat gjatë mandatit të tij.
“Personeli ushtarak ka mbështetur personelin e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare prej gati dy dekadash tashmë”, tha zonja Jean-Pierre. “Pra, kjo është një praktikë e zakonshme”, shtoi ajo më tej.
Javën e kaluar, zyrtarët e administratës njoftuan se do të punojnë për të përpunuar me shpejtësi të dhënat e imigrantëve që kërkojnë azil në kufi, për të dëbuar ata që nuk kualifikohen si dhe për të penalizuar ata persona që kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin.
Po kështu do të hapen qendra jashtë Shteteve të Bashkuara për ata persona që largohen nga vendet e tyre për shkak të dhunës dhe varfërisë, duke u dhënë mundësi që të aplikojnë për azil për në Shtetet e Bashkuara, Spanjë ose Kanada. Qendrat e para të përpunimit do të hapen në Guatemalë dhe Kolumbi./VOA