SHBA dhe Shqipëria marrëveshje për pengimin e shitjes të paligjshme të objekteve të trashëgimisë kulturore

Shqipëria ka nënshkruar një “Marrëveshje Dypalëshe për Pasuritë Kulturore”  me SHBA që synon të parandalojë vjedhjen dhe trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore nga Shqipëria.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua të hënën në ambasadën e Shqipërisë në Uashington, është zyrtarizimi i angazhimit që marrin të dyja vendet për të mos lejuar shitjen e paligjshme apo import-eksportin e objekteve me vlera kulturore e etnografike nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara.

Marrëveshja u nënshkrua nga Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit në detyrë për Çështje Kultturore, Matthew Lussenhop si dhe për palën shqiptare, nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Marrëveshja është pjesë e një nisme të SHBA që synon të luftojë trafikimin e objekteve të trashëgimisë kulturore në territorin e saj.

SHBA ka mbështetur ruajtjen e trashëgimisë kulturore materiale dhe jo materiale të Shqipërisë përmes Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit thotë se marrëveshja pasqyron marrëdhënien e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për të frenuar trafikimin e pronave kulturore dhe për të ruajtur trashëgiminë.

“Marrëveshja i jep autoriteteve amerikane të zbatimit të ligjit aftësinë për të riatdhesuar objektet kulturore të trafikuara në Shqipëri dhe do të nxisë shkëmbimin e trashëgimisë kulturore shqiptare me institucionet amerikane”, thuhet në deklaratë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje merr një vlerë më të madhe, në vitin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve dhe nënvizon rëndësinë e ruajtjes së pasurisë kulturore.

Mjetet e mediave sociale dhe mungesa e interesit nga agjencitë e zbatimit të ligjit kanë rritur tregtinë ilegale të objekteve antike në zonën e Ballkanit Perëndimor, sipas një studimi të ri të botuar në Gazetën e Aplikacioneve Kompjuterike në Arkeologji.

Tregtia ilegale e objekteve antike është një industri globale me shumë miliardë dollarë sipas një raporti të vitit 2018 nga Standard Chartered Bank.

Shqipëria i shtohet një liste në rritje vendesh që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, në përputhje me Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore.

/ Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *