SHBA-ja kërkon zgjedhje me standarte. Kjo kërkesë iu është risjellë edhe një herë në vëmendje partive politike nga zëvendës ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer. Në ditën e shënimit të 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Palmer deklaroi se SHBA-të presin që zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri do jenë në nivelet më të larta ndërkombëtare.
Ai ka përshëndetur sërish miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, por theksin e vuri që këto ndryshime duhet të zbatohen me përpikmëri në 25 prill.
“Ne u ndjemë shumë të kënaqur që pamë parlamentin shqiptar të miratonte legjislacionin, në përputhje me rekomandimet e ODIHR për reformën zgjedhore. Ne duam të shohim që legjislacioni i ri të vihet në zbatim dhe që zgjedhjet e prillit të kryhen në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur demokracinë, qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës, në të gjithë botën.
Kjo është sidomos e vërtetë kur flasim për një partner amerikan dhe një aleat amerikan. Pra, ne kemi një interes këtu, kemi një interes tek rezultati. Ne duam ta shohim demokracinë shqiptare të lulëzojë, të rritet dhe të zhvillohet, po ashtu si dëshiron edhe publiku shqiptar”, u shpreh Palmer.