Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në Shtetet e Bashkuara dha miratimin të premten për vaksinën Pfizer kundër COVID-19 për fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.
FDA dha autorizimin për përdorimin urgjent të vaksinave me dozë më të vogël- sa një e treta e asaj që përdoret për adoleshentët dhe të rriturit – dhe deri në 28 milionë fëmijë amerikanë mund të kualifikohen për vaksinim që në fillim të javës së ardhshme.
Hapi i mbetur për miratimin e plotë është vendimi i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Këshilltarët e CDC-së do të bëjnë rekomandime më të detajuara lidhur me vaksinën dhe më pas drejtorja e agjencisë do të japë vendimin përfundimtar.
“Me këtë vaksinë fëmijët do të jenë shumë më mirë, pa iu dashur të mbyllen në shtëpi, me shkollimit nga distanca dhe pa takuar shokët e tyre,” tha Dr. Kawsar Talaat nga Universiteti Johns Hopkins. “Vaksina do t’i mbrojë ata dhe do të mbrojë komunitetet tona.”
Disa vende kanë filluar të përdorin vaksina të tjera kundër COVID-19 tek fëmijët nën 12 vjeç, përfshirë Kinën, e cila sapo filloi vaksinimet për 3-vjeçarët. Por shumë vende që përdorin vaksinën e kompanisë Pfizer dhe partnerit të saj BioNTech po e ndjekin me vëmendje vendimin e SHBA-së dhe rregullatorët evropianë sapo filluan të shqyrtojnë dozat e e kësaj vaksine për fëmijë.
Me miratimin nga FDA, Pfizer planifikon të fillojë dërgimin e miliona dozave të vaksinës pediatrike – me kapak portokalli për t’u dalluar nga ato me kapak ngjyrë vjollcë për grupmoshat e tjera – në zyrat e mjekëve, farmacitë dhe objektet e tjera të vaksinimit. Fëmijët do të marrin dy injeksione, me tre javë diferencë nga njëra-tjetra.
Rastet e rënda ose vdekjet nga COVID-19 janë të rralla mes fëmijëve më të vegjël, por shefi i vaksinave i FDA-së, dr. Peter Marks tha këtë javë se 1.9 milionë fëmijë të grupmoshës 5 deri në 11 vjeç kanë rezultuar pozitivë dhe 8,300 janë shtruar në spital në Shtetet e Bashkuara. Nga ata që u shtruan në spital, një e treta kishte pasur nevojë për kujdes intensiv dhe afro 100 vdiqën.
Dhe ndërsa varianti delta shumë ngjitës vazhdon të jetë në qarkullim, qeveria ka llogaritur më shumë se 2000 mbyllje shkollash të lidhura me koronavirusin që nga fillimi i vitit shkollor, duke prekur kështu më shumë se një milion fëmijë.
Në fillim të kësaj jave, këshilltarët e pavarur të FDA-së arritën në përfundimin se përfitimet nga vaksina Pfizer për fëmijët 5 deri në 11 vjeç kundër COVID-19 janë shumë më të mëdha sesa rreziku i rasteve të rralla të inflamacionit të zemrës, të quajtur miokardit.
Por disa prej ekspertëve thanë se jo të gjithë të rinjtë do të duhet të vaksinohen dhe se ata preferojnë që vaksinimi të ketë në fokus ata që janë më të rrezikuar nga virusi.
Afro 70% e fëmijëve 5 -11-vjeçarë të shtruar në spital për COVID-19 në SHBA kanë probleme ekzistuese shëndetësore, duke përfshirë astmën dhe obezitetin, sipas të dhënave federale.
Pyetja se sa gjerësisht duhet të përdoret vaksina e Pfizer do të jetë një nga temat qendrore që do të shqyrtohet nga CDC-ja dhe këshilltarët e saj, të cilët përcaktojnë rekomandime formale për mjekët pediatër dhe profesionistët e tjerë mjekësorë.
Një studim i kompanisë Pfizer me 2,268 nxënës shkolle arriti në përfundimin se vaksina ishte pothuajse 91% efektive në parandalimin e infeksioneve simptomatike të COVID-19.
Asnjë nga fëmijët nuk pati rast të rëndë infektimi, por të vaksinuarit kishin simptoma shumë më të lehta sesa të pavaksinuarit.
Për më tepër, fëmijët e vegjël që iu nënshtruan dozave të ulëta zhvilluan nivele antitrupash që luftojnë koronavirusin po aq të larta sa adoleshentët dhe të rinjtë që kanë marrë dozat e rregullta.
Studimi i Pfizer mbi fëmijët më të vegjël arriti në përfundimin se vaksinat me doze të ulët rezultuan të sigurta, me efekte anësore të ngjashme ose më të lehta të përkohshme, si dhimbje krahu, ethe ose dhimbje të tjera që kanë pasur adoleshentët.
Studimi nuk është aq i gjerë sa të mund të identifikojë ndonjë efekt anësor jashtëzakonisht të rrallë, siç është inflamacioni i zemrës që ndodh herë pas here pas dozës së dytë, kryesisht te të rinjtë.
Disa prindër pritet t’i vaksinojnë fëmijët e tyre përpara festave familjare dhe sezonit të ftohtë të dimrit.
Por një sondazh i fundit i Fondacionit Kaiser Family sugjeron se shumica e prindërve nuk do të nxitojnë t’i vaksinojnë fëmijët. Rreth 25% e prindërve të anketuar në fillim të këtij muaji thanë se do t’i vaksinonin fëmijët e tyre “menjëherë”. Por pjesa tjetër ishte e ndarë mes atyre që thanë se do të prisnin për të parë se si funksionon vaksina dhe atyre që thanë se “me siguri” nuk do t’i vaksinojnë fëmijët.
Edhe kompania Moderna po studion vaksinën e saj për COVID-19 tek të rinjtë e moshës shkollore. Pfizer dhe Moderna po bëjnë studime edhe për vaksina për fëmijë më të vegjël, deri në 6 muajsh. Rezultatet priten më vonë gjatë vitit.
/Burimi: VOA/