Ambasada amerikane në Kiev u ka bërë thirrje amerikanëve në Ukrainë që ta shqyrtojnë mundësinë e largimit nga vendi, duke pasur parasysh situatën e “paparashikueshme”. Tensionet midis Ukrainës dhe Rusisë janë rritur pasi kjo e fundit ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit, duke e rrethuar Ukrainën nga veriu, lindja dhe jugu.
‘Situata e sigurisë në Ukrainë vazhdon të jetë e paparashikueshme për shkak të rritjes së kërcënimit nga veprimi ushtarak rus dhe mund të përkeqësohet në çdo kohë’, tha Ambasada amerikane në Kiev.
Ambasada amerikane u bën thirrje shtetasve amerikanë në Ukrainë që ta konsiderojnë mundësinë që të largohen përmes mundësive të transportit komercial apo privat”, u tha në deklaratën e lëshuar më 26 janar. Më herët gjatë javës, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se do të tërheqë një pjesë të stafit të ambasadës në Kiev dhe familjarët e tyre.
Më 2014, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe që atëherë ka mbështetur separatistët që po luftojnë me forcat ukrainase në lindje të Ukrainës.
/Burimi: REL/