Autoritetet meksikane kanë arrestuar Ovidio Guzmán, djalin e bosit famëkeq të drogës Joaquin “El Chapo” Guzmán, udhëheqësi i kartelit Sinaloa. Arrestimi i tij u krye vetëm disa ditë përpara se Presidenti Joe Biden planifikon të bëjë vizitën e tij të parë në Meksikë më 9 janar.
Bllokada, të shtëna dhe plaçkitje u raportuan në të gjithë qytetin e Culiacan, ku u zhvillua operacioni për kapjen e tij. Gjatë konferencës së tij për shtyp në mëngjes, presidenti Andres Manuel Lopez Obrador tha se një operacion ishte kryer në Sinaloa. Ovidio mendohet të jetë një anëtar i rangut të lartë të kartelit Sinaloa, një nga organizatat më të mëdha të trafikut të drogës në botë.
Kryebashkiaku Juan de Dios Gamez konfirmoi në Twitter se forcat e armatosura federale kanë kryer një operacion në Culiacán që nga agimi i së enjtes dhe se kjo ka shkaktuar dhunë në qytet dhe pjesë të tjera të shtetit.
“U kërkojmë qytetarëve të Culiacán-it të mos largohen nga shtëpia për shkak të bllokadave që kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të qytetit”, tha ai.
Forcat meksikane të sigurisë kishin arrestuar më parë Guzmán-López në vitin 2019, por e liruan atë për të shmangur kërcënimin e dhunës nga mbështetësit e tij. Departamenti Amerikan i Shtetit pretendon se ai dhe vëllai i tij, Joaquín, janë aktualisht duke mbikëqyrur afërsisht njëmbëdhjetë laboratorë metamfetamine në shtetin e Sinaloas dhe duke prodhuar rreth 1,300-2,200 kg drogë në muaj.
Në dhjetor, SHBA-ja njoftoi një shpërblim deri në 5 milion dollarë për informacionin që çon në arrestimin e Ovidio dhe tre vëllezërve të tij, të cilët mendohet se kanë mbajtur pozicionet e tyre komanduese në grup, pas arrestimit të të atit. Ndërkohë babai i tyre “El Chapo” po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në SHBA pasi u shpall fajtor në vitin 2019 për trafik droge dhe pastrim parash.