Komanda e Operacioneve Speciale të SHBA-së për Evropën (SOCEUR) ka vendosur të ngrejë në Shqipëri një shtab të bazës të Forcave të Operacioneve Speciale, me rotacion, si pjesë e përpjekjejeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal.
Vendndodhja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.
Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare.
“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim ka reaguar në lidhje me ngritjen e shtabit pararojë në Shqipëri. Përmes një mesazhi në Twitter Kim thekson se ky është një zhvillim me rëndësi për marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Shkëlqyeshëm për të nisur vitin e ri me një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës Flamuri dhe të Shqipërisë. Hera e parë që SHBA-të vendosin një seli të këtij lloji në Shqipëri. E rëndësishme për sigurinë rajonale.”, shkruan Kim.
Komanda e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) njoftoi se një shtab pararojë do të ngrihet në Shqipëri, me rotacion. Selia e re u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes… (1/2) pic.twitter.com/sWR7IucUYr
— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) January 6, 2022
/Priza.al/