Për SHBA, PPP-të dhe prokurimet publike janë fushat ku “zien” korrupsioni…
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë udhëzuar Prokurorinë e Posaçme se ku duhet të godasë. Edhe pse janë kryer arrestime dhe janë ngritur akuza, për amerikanët kërkohet më shumë punë. Pra, nëse nuk futen në qeli peshkaqenët e korrupsionit, drejtësia e re nuk është aty ku duhet.
Departamenti i Shtetit publikoi sot raportin për klimën e investimeve dhe përveç goditjeve ndaj qeverisë, një kapitull i kushtohet drejtësisë.
“Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), të krijuar në kuadër të reformës në drejtësi, po bëjnë progres në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e personave të përfshirë në korrupsion dhe krimin e organizuar, duke përfshirë zyrtarë të lartë aktualë ose të kaluar dhe krerët e krimit. Prokuroria Speciale ka nisur hetimet për disa raste të profilit të lartë, duke urdhëruar arrestimin dhe dënimin e disa zyrtarëve të lartë.
Nga ana tjetër, amerikanët kanë treguar dhe fushat ku “zien” korrupsioni. Për ta kontratat koncesionare janë afera të pastra. Po ashtu theksohet se ka korrupsion të madh me tenderët në përgjithësi.
“Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme, me investitorët që raportojnë shpesh raste të korrupsionit qeveritar që vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analiza e dobët dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar”, thekson DASH.