Shtetet e Bashkuara po rrisin praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, si një masë mbrojtëse me synimin për të ulur tensione në rajon, tha të dielën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Tensionet rajonale janë rritur pas vrasjes të mërkurën të njërit prej drejtuesve të grupit islamik palestinez Hamas, Ismail Hanijeh në kryeqytetin iranian Teheran një ditë pasi një sulm izraelit në kryeqytetin e Libanit Bejrut vrau Fuad Shukrin, një komandant të lartë ushtarak të grupit libanez, Hezbollahut. Të dyja grupet mbështeten nga Irani.
Shqetësimet se lufta e Izraelit kundër militantëve palestinezë në Gaza mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, po shtohen.
Irani dhe Hamasi kanë fajësuar Izraelin për vrasjen e Hanijesë dhe së bashku me Hezbollahun, janë zotuar për hakmarrje. Izraeli as nuk e ka pranuar as nuk e ka mohuar përgjegjësinë.
Pentagoni tha të premten se do të vendosë avionë luftarakë shtesë dhe anije luftarake të marinës në rajon.
“Objektivi i përgjithshëm është ulja e temperaturës në rajon, frenimi dhe mbrojtja kundër sulmeve dhe shmangia e konfliktit rajonal,” tha Jonathan Finer, zëvendës këshilltar për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, në një intervistë për televizionin CBS.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po përgatiten për çdo skenar të mundshëm, shtoi zoti Finer.