Administrata amerikane u ka kërkuar pronarëve kinezë të TikTok-ut që të shesin aksionet e aplikacionit, përndryshe rrezikojnë që të ndalohet në SHBA. Kërkesa u bë nga Komiteti i Investimeve të Huaja në SHBA i udhëhequr nga Departamenti i Thesarit, njoftoi Wall Street Journal, duke cituar burime të njohura me këtë çështje.
Sipas raportimit, kjo paraqet një “ndryshim të madh” në politikën e administratës amerikane kundër TikTok-ut. Në raportim thuhet se 60 për qind e aksioneve të kompanisë pronare të TikTok-ut, ByteDance janë në pronësi të inyvestitorëve globalë, 20 për qind janë në pronësi të punonjësve dhe 20 për qind në pronësi të themeluesve.
TikTok u përgjigj duke thënë se kërkesa për shitje nuk do të trajtojë rrezikun e perceptuar të sigurisë.
Shtëpia e Bardhë ende nuk ka komentuar mbi raportimin. Pasi u lançua në vitin 2016, aplikacioni për shpërndarjen e videove i cili është në pronësi kineze u bë shumë i popullarizuar në të gjithë botën, duke arritur në 755 milionë përdorues globalë në vitin 2022. Dy të tretat e adoleshentëve amerikanë janë aktualisht përdorues të TikTok-ut.