Shtëpia e Bardhë u ka dhënë të gjitha agjencive federale të Shteteve të Bashkuara afat 30 ditë për të fshirë TikTok-un nga të gjitha pajisjet qeveritare. Aplikacioni kinez i medias sociale është vënë në një kontroll nga Uashingtoni për çështjet e sigurisë.
Veprime të ngjashme kanë ndërmarrë Kanadaja, BE-ja, Tajvani dhe më shumë se gjysma e shteteve të SHBA-së. Në muajin dhjetor, Kongresi votoi për të ndaluar punonjësit federalë që të përdorin aplikacionin.
Shumë agjenci qeveritare, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit e kishin ndaluar TikTok nga pajisjet qeveritare përpara votimit.
Ditën e sotme Komiteti i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve do të votojë një projektligj që mund t’i japë presidentit Biden autoritetin për të ndaluar TikTok-un nga të gjitha pajisjet amerikane.