Talebanët njoftuan të dielën se patën dy ditë bisedimesh të mira me Shtetet e Bashkuara në Katar. Ky është takimi i parë i drejtpërdrejtë në nivel të lartë, që kur grupi islamist mori kontrollin e Afganistanit pas tërheqjes amerikane në fund të gushtit.
“Gjatë takimit pati diskutime të detajuara për të gjitha çështjet e rëndësishme dhe do të bëhen përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet diplomatike”, thuhet në një deklaratë pas takimit të zëdhënësit të talebanëve, Suhail Shaheen.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price konfirmon në një deklaratë të qarkulluar të dielën se bisedimet me talebanët ishin “të drejtpërdrejta dhe profesionale”, duke shtuar se “talebanët do të gjykohen nga veprimet e tyre dhe jo vetëm fjalët”.
Ndër çështjet e tjera që u diskutuan ishin “shqetësimet për sigurinë dhe terrorizmin, për udhëtimin e sigurtë të shtetasve amerikanë, shtetasve të vendeve të tjera dhe të partnerëve tanë afganë, si dhe për të drejtat e njeriut, përfshirë pjesëmarrjen domethënëse të grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e shoqërisë afgane”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratën e zotit Price thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe talebanët “diskutuan dhënien e asistencës së fuqishme humanitare nga Shtetet e Bashkuara, drejtpërdrejt për popullin afgan”.
Zoti Shaheen, i cili është zëdhënës i talebanëve në Doha dhe shërben si përfaqësues i tyre për OKB-në, tha se “përfaqësuesit amerikanë deklaruan se do t’u japin afganëve ndihmë humanitare, do të ofrojnë logjistikën për organizatat e tjera humanitare që do të shpërndajnë ndihmat”.
Ai shtoi se udhëheqësit talebanë përshëndetën vendimin amerikan dhe premtuan se do të bashkëpunojnë me organizatat e ndihmave për t’u dhënë ndihmp humanitare në mënyrë transparente afganëve që kanë nevojë. Ai tha se ekipi taleban, i udhëhequr nga Ministri i Jashtëm Amir Khan Muttaqi, theksoi se ndihma humanitare “nuk duhet të lidhet me çështjet politike”
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 1 milion fëmijë në Afganistan janë në rrezik urie, se mbi 18 milionë kanë nevojë për asistencë urgjente humanitare. Thatësira në vazhdim dhe një dimër i ashpër që po afron vetëm se do t’i vështirësojnë gjërat.
/Burimi: VOA/