Fuqitë perëndimore po shqyrtojnë ndërmarrjen e masave ndaj Rusisë përmes trupit botëror të armëve kimike, lidhur me sulmet e supozuara me agjentë nervorë, tha ambasadori amerikan në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike.
I dërguari i SHBA-së në këtë organizatë, Joseph Manson, e fajësoi Moskën për dështimin që kjo organizatë javën e kaluar të arrite pajtim për një udhërrëfyes të ri për pesë vjetët e ardhshme.
Tensionet në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike janë rritur pasi hetuesit gjetën se agjenti nervor i epokës sovjetike, Noviçok, ishte përdorur kundër kundërshtarit të Kremlinit, Aleksei Navalny në Rusi më 2020, dhe ndaj një ish-spiuni rus në Angli më 2018.
“Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete të tjera janë të shqetësuara me mosrespektimin nga Rusia, dhe ky mosrespektim rus është në qendër të problemeve në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike”, tha Manso për AFP-në.
“Ne do të vazhdojmë të shikojmë se cilat janë mjetet e duhura për të bërë që Rusia të respektojë rregullat”, shtoi ai.
I pyetur nëse po shqyrtohet edhe mundësia që Moskës t’i pezullohet e drejta e votimit në Organizatën për Parandalimin e Armëve Kimike – një sanksion që u përdor ndaj Qeverisë siriane më 2021 për shkak të përdorimit të armëve kimike gjatë luftës civile – Manso tha se “nuk do të përmend asgjë specifike, por nuk do të përjashtoj asgjë në mënyrë specifike”.
“Qasja jonë do të jetë që të sanksionojmë rusët. Kjo mund ose nuk mund të funksionoi”, shtoi ai.
Ai tha se çështja ruse do të diskutohet brenda organizatës gjatë takimit në korrik, dhe gjatë takimit në fund të vitit të 193 anëtarëve të këtij trupi.
Rusia ka mohuar përfshirjen në helmimin e Navalnyt dhe po ashtu sulmin me Noviçok të ish-spiunit, Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Angli më 2018.
Gjatë takimit të javës së kaluar, shtetet anëtare të Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike tha se ka përparim sa i përket marrëveshjes së armëve kimike të vitit 1997, por Rusia akuzoi Perëndimin se po e politizon këtë politikë që synon eliminimin e armëve të tilla.
Takimi përfundoi pa marrëveshje për një dokument final që do të vendoste prioritetet e organizatës për pesë vjetët e ardhshëm./REL