SHBA/ Vazhdon të rritet vdekja e fëmijëve nga armët

Në gjysmën e parë të këtij viti janë vrarë në episode dhune me armë mbi 670 adoleshentë dhe fëmijë në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave të mbledhura nga organizata Arkivi për Dhunën me Armë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Karina Bafradzhian, në kryeqytetin Uashington, një nënë, ish-ushtarake po punon me komunitetet për të gjetur zgjidhje për këtë problem.

Jawanna Hardy është veterane e ushtrisë, nënë dhe banore në kryeqytetin Uashington.

Ajo thotë se ka përjetuar rritjen e vdekjeve nga armët në Shtetet e Bashkuara dhe në vitin 2018 vendosi të krijojë grupin “Guns Down Friday”, për t’iu përkushtuar uljes së dhunës me armë.

“Rrugët e Uashingtonit ishin më keq se një zonë lufte dhe doja t’i ndryshoja gjërat. Është e frikshme të mësosh fëmijët që t’u qëndrojnë larg disa njerëzve, se çfarë të bëjnë, gjithçka që iu duhet për të mbrojtur veten. Por, me vrasjet në masë, çfarë mund të bësh?”, thotë ajo.

Çdo të premte, Hardy shkon në lagjet e Uashingtonit, që kanë nivelin më të lartë të incidenteve me armë, takohet me fëmijët dhe familjet për të gjetur mënyra për të ulur dhunën nga armët dhe për t’i ndihmuar banorët.

Organizata e saj ofron mbështetje dhe programe për familjarët e të rinjve të vrarë.

Hardy thotë se organizata e saj punon edhe me autoritetet e qytetit për gjëra të tjera, si p.sh. për të vendosur drita në rrugët më të errëta të lagjeve.

“Në një nga lagjet që shkonim, vumë re se persona të armatosur dilnin nga zonat në errësirë, të mbushura me shkurre. I pyetëm fëmijët se çfarë mund të bëhet për t’i dhënë fund dhunës me armë në komunitetin tuaj? Ata thanë se duhet të presim shkurret, që të mundemi të shikojmë se ç’ndodh. U bashkuam pra dhe bindëm këshillin e qytetit për t’i prerë këto ferra”, thotë Hardy.

Vullnetari 13-vjeçar Makaya King-Brooks thotë se ka përjetuar vetë të shtënat.

“Isha shumë i vogël. I mbaja perdet ulur gjatë gjithë kohës në dhomën time. Kisha frikë t’i afrohesha ndonjë dritareje. Nuk doja të pastroja dhomën me fshesën me korrent pasi më dukej shumë e zhurmshme. Isha vërtet paranojak”, thotë Maciah.

13-vjeçari Rashaad Bates humbi një shok të mirë vite më parë nga dhuna me armë. Ai thotë se e ndihmon që takohet dhe flet me zonjën Hardy.

“Ndjehesha i zemëruar dhe i hidhëruar në të njëjtën kohë. Nëse emocionohem, zonja Hardy më gjendet gjithnjë pranë për të më ndihmuar”, thotë Rashaad.

Psikologët thonë se qoftë edhe leximi apo shikimi i lajmeve për dhunën me armë mund të ndikojë rëndë në shëndetin e fëmijës dhe mund të shkaktojë çrregullime emocionale, të gjumit, të oreksit dhe të përqëndrimit.

Edhe nëse kjo ndodh, familjet kanë mundësinë të ndalin shndërrimin e këtyre simptomave në probleme më serioze psikologjike, si ankthi apo depresioni.

“Nëse prindërit u flasin fëmijëve të tyre për gjërat që kanë ndodhur, kjo mund të ndihmojë shumë. Jeni duke parë një film së bashku dhe aty ka të shtëna. Kjo është një mundësi për ta angazhuar fëmijën, adoleshentin, me pyetjen se ‘Si do të ishte një situatë e tillë? Si do ta përballoje?’, thotë pediatri psikolog Daniel Marullo.

Sipas organizatës “Arkivi i Dhunës me Armë”, mbi 670 fëmijë dhe adoleshentë janë vrarë në Shtetet e Bashkuara gjatë gjysmës së parë të vitit 2023./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *