Mjaftoi një twitter i studiueses gjermane, Suzana Starikov, sipas të cilit Edi Rama do të pasojë Jens Stoltenberg në krye të NATO dhe shumë media në Shqipëri por edhe Kosovë e Serbi, përhapën me shpejtësi lajmin e “bujshëm” i cili përfundoi në një tallje të egër për kryeministrin.
Jo se nuk e dinin se ishte një prill, dita e gënjeshtrave, por vetë Edi Rama prej kohësh nëpërmjet zërave të vet mediatik ka përhapur fjalë se miq të fuqishëm po lobojnë fortë, që ai të jetë pasues i Jens Stoltenberg në krye të NATO.
“Edi Rama do të pasojë Jens Stoltenberg në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Në veçanti thuhet se SHBA-të kanë insistuar në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të ardhshëm të NATO-s mes anëtarëve të rinj të NATO-s. Kandidatët ishin kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Kush do të jetë kryeministri i radhës i Shqipërisë?”, shkruajti Suzana Starikova e cila u përshkrua edhe si kompetentë e zhvillimeve në Bruksel.
Cicërimës që prodhoi tituj të bujshëm, nga zelli nuk i shpëtuan dot as televizione kombëtare si Top Channel, por brenda ditës doli se ishte një gënjeshtër pasi këtë e pohoi vetë burimi i lajmit, studiuesja Starikov.
“Pavarësisht se kam njoftuar këtu në Twitter, se kjo ishte një shaka e imja, një truk i 1 prillit, ata nuk po ndalojnë duke e publikuar si një lajm serioz. Kjo është e çmenduri, më e çmendura, akoma më e çmenduri. Është një shaka, ndaleni këtë ju lutem, nuk dua të jem burim për lajme të rreme”, shkroi ajo.
Në fakt nëse lexon me vëmendje lajmin e parë, duket që ka elementë nga ata që po përhap prej kohësh Edi Rama; si përkrahja e pakushtëzuar e SHBA ndaj tij dhe ndërhyrja që në krye të NATO të jetë një nga anëtarët më të rinj. Gjithashtu pyetja e studiueses gjermane, “kush do jetë pasuesi i Ramës në qeveri”, është një debat që po zien nëpër ambientet politike dhe gazetareske ku tashmë shumica “janë dakord”, se ndërkombëtarët për të shpëtuar Edi Ramën nga goditja penale pas skandaleve të shumta këtu (veçanërisht ai i Inceneratorëve), do ta sistemojnë (pa mbyllur mandatin e tretë) në një post të të denjë në institucione ndërkombëtare.
Madje thuhet edhe se kjo është pjesë e një marrëveshje të pranuar nga vetë Rama, për të hapur rrugë nga “sundimi” i tij absolut në vend.
Por pavarësisht këtyre teorive, sa gjysmë të vërteta, po aq fantazi konspirative që gatuhen te “Rogner”, gjermania Suzana Starikova arriti të krijojë një situatë tallje ndaj kryeministrit të Shqipërisë dhe medieve që e peshkuan e dashje a jo, lajmin e rrem.
Nuk dihet se përse u tall në këtë mënyrë studiuesja politike Starikova, por më mister ngelet arsyeja e shpërndarjes së gënjeshtrës nga media që kanë akses për të folur direkt me kryeministrin të cilat për çështje të tilla, nuk bëjnë asnjë rresht e kronikë pa marrë viston.
Kjo ka dy shpjegime: Ose sëmundja e delirit e ka trashur trurin e Edi Ramës deri në atë pikë, sa e ka besuar vërtet atë twtter 1 prilli; Ose edhe pse e ka kuptuar se studiuesja gjermane po gënjente, i ka pëlqyer të bëhet udhëheqës global (Sekretar i Përgjithshëm i NATO) qoftë edhe për disa orë nëpër medie, pavarësisht faturës së talljes publike që morri!
Burimi:Alfapress