Lufta në Ukrainë mund të arrijë një “pikë kthese” në gusht dhe të përfundojë me mposhtjen e Rusisë para fundit të vitit, tha shefi i inteligjencës ushtarake të Kievit në një intervistë për Sky News.
Gjeneralmajor Kyrylo Budanov, tha për median britanike më 14 maj, se ai ishte “optimist” lidhur me trajektoren aktuale të konfliktit, që nisi më 24 shkurt.
“Pika e kthesës mund të jetë në pjesën e dytë të gushtit”, tha ai.
“Shumica e veprimeve aktive luftuese do të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Si rezultat, ne do të rinovojmë fuqinë ukrainase në të gjithë territoret tona që kemi humbur, përfshirë Donbasin dhe Krimenë”, tha ai, transmeton AFP.
Luftime intensive aktualisht po zhvillohen në rajonin lindor ukrainas të Donbasit, ku Rusia aktualisht ka përqendruar forcat e saj, por që nuk ka bërë ndonjë përparim të rëndësishëm.
Budanov tha se Ukraina di “gjithçka për armikun tonë. Ne dimë për planet e tyre, pothuajse prej momentit që bëhen këto plane”.
Rusia deri më tani ka arritur që të marrë kontrollin e plotë të vetëm një qyteti të madh, Hersonit, dhe ofensiva ushtarake që shumë ekspertë parashikuan se do të ishte e shpejt, ka ngecur, veçmas është përcjellë me probleme logjistike.
Shefi i inteligjencës së Ukrainës po ashtu bëri pretendime të paverifikuara se një grusht shteti veçse ka nisur në Moskë për ta larguar nga pushteti presidentin rus, Vladimir Putin, duke shtuar se lideri rus është i “sëmurë rëndë” me kancer.
Në prill, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se raportimet se Putini ka kancer janë “shpikje dhe gënjeshtra”./REL