Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres bëri thirrje të mërkurën për dhënien fund të luftimeve në Sudan dhe për mbështetje ndërkombëtare për popullin sudanez, për të cilin tha se po përballet me një katastrofë humanitare.
“Ndihmat duhet të lejohen në Sudan, dhe na duhet qasje e sigurtë dhe e menjëhershme për të qenë në gjendje që t’i shpërndajmë ato për njerëzit që kanë më shumë nevojë”, tha zoti Guterres gjatë një konference për shtyp në Najrobi, të Kenias. “Civilët dhe infrastruktura civile duhet të mbrohen, dhe punonjësit e ndihmave dhe mjetet e tyre duhet të respektohen”.
Ministria e Shëndetësisë e Sudanit thotë se mbi 500 persona janë vrarë dhe rreth 5,000 janë plagosur që nga fillimi i luftimeve më 15 prill, gjatë një lufte për pushtet mes drejtuesve të forcave qeveritare sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë. Agjencia e OKB-së e Emigracionit (IOM) tha këtë javë se të paktën 334,000 persona janë zhvendosur brenda vendit nga luftimet, krahas 100,000 të tjerëve që kanë ikur nga vendi. Agjencia e OKB-së për refugjatët ka paralajmëruar se luftimet mund të shkaktojnë që më shumë se 800,000 njerëz të largohen nga vendi verilindor i Afrikës.
Shumë prej tyre shkojnë në shtatë vendet që kanë kufi me Sudanin, përfshirë Çadin, Sudanin e Jugut, Republikën e Afrikës Qendrore, Egjiptin dhe Etiopinë./VOA