Kanë kaluar vetëm 10 ditë nga rënia e suvasë nga fasada e teatrit “Migjeni”, dhe sot, një tjetër ndërtese e vjetër në Shkodër e mbushur me histori, ka pësuar dëmtime.
“Kafja e Madhe” e cila është shpallur “Monument Kulture i Kategorisë së Parë” ka pësuar një shembje në katin e fundit të godinës, pasi brenda saj kishte nisur restaurimi.
Prej disa kohësh është ngritur problematika për ndërtesat e vjetra në Shkodër, të cilat nuk kanë asnjë siguri dhe nuk mirëmbahen ashtu sikurse duhet. Çdo cep i tyre që bie në tokë, është një copë e trashëgimisë tonë kombëtare kulturore e cila shkërmoqet.
“Kafja e Madhe” është ndërtuar në vitin 1920 nga familja Ashiku e cila mendoi të investonte në një infrastrukturë që do të priste vizitorët. Kujtojmë se në shekullin XIX në Shkodër lulëzonte tregtia e për rrjedhojë, shumë familje të kamura nga jashtë vinin dhe e vizitonin.
Ata iu drejtuan arkitektit të madh Kol idromeno që të skiconte një vend që do të ishte i përshtatshëm për to. Menjëherë Idromeno filloi punën dhe përgatiti këtë skicë e cila edhe sot gjendet në Arkivin Qëndror të Shtetit.
Ndërtesa ndahej në dy kate ku i pari kishte ambient të bollshëm me kapacitet deri në 200 persona dhe 50 tavolina, plot me dritare dhe pasqyra ku pranë tyre mund të luaje bilardo apo të pije një kafe në një kënd dedikuar vetëm kafesë. Vend me një joshje të veçantë për të huajt të cilët nuk kalonin asnjëherë pa u ndalur. Në katin e dytë ishin 9 dhoma gjumi dhe dy tualete të përbashkëta ku turistët apo të huajt që vinin për punë kalonin ditët.
Me të përfunduar ndërtimin, ‘Kafja e Madhe’ filloi të frekuentohej jo vetëm prej të huajve, por edhe prej shkodranëve duke u kthyer shumë shpejt në strehën ku takoheshin intelektualë. Nëse vërtet Shkodra është djepi i kulturës, Kafja e Madhe është vendi ku kultura u diskutua më së shumti.