Kryeministri Rama ka prezantuar nga Shëngjini nismën ‘Bregdeti Ynë’, një aksion që pritet të nisë javën e ardhshme dhe që synon prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetit.
Kreu i qeverisë paralajmëroi të gjithë pronarët e objekteve pa leje që t’i prishin ato brenda një jave, pasi në të kundërt do të përballen me pasojat e shkeljes së ligjit, ndërsa hodhi akuza dhe mbi punonjësit e policisë së shtetit, që sipas tij në jo pak raste janë bërë palë me shkelësit.
Rama thotë se pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit.
Fjala e Ramës:
Javën e ardhshme forcat Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të nisin operacionin “Bregdeti Ynë”, për të fshirë nga harta e pasurisë më të madhe të popullit shqiptar çdo ndërtim pa leje, duke nisur me ato që janë në proces në thyerje flagrante të Kodit Penal dhe për të çuar përpara drejtësisë çdo shkelës të ligjit (qoftë në krejt zinxhirin e ndërtimit nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve, e qoftë në radhët e vetë policisë, nga shefa e deri tek punonjës, që me veprimet a mosveprimet e tyre kanë lejuar shkeljen e ligjit).
Pastrimi i gjithë bregdetit për të vijuar më pas me zonat e mbrojtura e akset kombëtare, do të vazhdojë pa u ndalur deri në goditjen e fundit.
Apeli për shkelësit është i thjeshtë: Prishni e pastroni vetë çka keni ndërtuar pa leje në dëm të pasurisë së popullit, sepse kur të përballeni me forcën e operacionit “Bregdeti Ynë”, do të jetë shumë vonë për ju.