Ndjesia e ankthit dhe stresit në punë shpeshherë nuk merren seriozisht nga pjesa më e madhe e njerëzve ndonëse kanë një ndikim të madh në performancë, mënyrën sesi e konceptojnë veten si profesionistë, marrëdhënien me kolegët dhe eprorët etj. Këto janë disa nga shenjat që tregojnë se ankthi ka nisur t’ju dëmtojë karrierën:
Nuk jepni më mendimin tuaj
Ankthi mund t’ju bëjë të mendoni se mendimi juaj nuk është vlen dhe kështu ju nuk flisni as në momente të rëndësishme. Kështu, në mbledhje me eprorin ose kolegët, duke u trembur nga frika e gjykimit, ju qëndroni të heshtur. Kjo mënyrë sjelljeje gradualisht krijon probleme me vetëbesimin dhe jepni përshtypjen se në ju mungojnë idetë dhe nuk keni ç’të ndani me të tjerët.
Zvarrisni vazhdimisht punën
Zvarritja e punës deri në minutën e fundit është një tjetër simptomë e ankthit. Duke qenë se ndiheni sikur puna juaj nuk është mjaftueshëm e mirë, i shmangni detyrat derisa vjen momenti i dorëzimit të tyre. Kini kujdes sepse ky mekanizëm përkeqësohet me kalimin e kohës. Truri nis të mendojë se kjo është mënyra e vetme për të pakësuar ankthin. Këshilla jonë është t’i ndani punët në nën-detyra sepse kështu ato duken më pak të frikshme dhe realizohen më lehtë.
Keni filluar të jeni të pasjellshëm me kolegët tuaj
Një tjetër mënyrë sesi manifestohet ankthi në punë është të qenit kritikues ndaj të tjerëve. Nervozoheni më shpejt, gjykoni dhe mërziteni me kolegët paçka se ata nuk po bëjnë asgjë gabim. Nëse vazhdoni kështu, së shpejti do ta gjeni veten duke u përpjekur të menaxhoni të tjerët dhe duke turfulluar nëpër takime pune. Mos harroni se klima e mirë me kolegët nuk ndihmon vetëm që dita të kalojë më shpejt, por është e rëndësishme dhe për rritjen tuaj personale.
Ndiheni të lodhur edhe kur nuk keni punë
Nëse ndiheni se thjesht po “mbijetoni”, ndiheni të rraskapitur dhe mezi e kaloni ditën e punës, dijeni se një nga arsyet mund të jetë ankthi. Këshilla jonë: Merrni disa ditë pushim dhe konsultohuni me një psikolog. Ndërkohë përpiquni të bëni një rutinë të shëndetshme fizike në mënyrë që ankthi të mos ndikojë në uljen e imunitetit.
Po refuzoni mundësi të reja
Ankthi shpeshherë vjen nga frika e së panjohurës dhe mund t’ju bllokojë pikërisht atëherë kur duhet të merrni vendime të rëndësishme për të ardhmen. Mos e lejoni t’ju ulë besimin që keni në aftësitë tuaja.