Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se është nënshkruar një marrëveshje për vendosjen e një memoriali për Shenjtoren Nënë Tereza.
Veliaj theksoi se memoriali do të vendoset në kodrat e Liqenit Artificial, ku qytetarët do të kenë mundësi të kenë një vend për të reflektuar, lidhur me gjërat e shenjta dhe të dëlira.
“Prej kohësh kemi pasur një ëndërr të madhe, për të vendosur në Tiranë një shenjtore të Nënë Terezës. Nuk besoj se ka moment më të mirë në 30 vite pasi Shqipëria ka vendosur marrëdhëniet me Vatikanin, 25 vite pas kalimit në amshim të Nënë Terezës, Shën Terezës, gruaja me trupin e vogël, por me veprën e madhe për t’i celebruar të gjitha këto. Sot fillojmë rrugëtimin drejt ndërtimit të shenjtores së Nënë Terezës mbi kodrat e Liqenit Artificial, në zonën e njohur si “Lapidari”, ndaj është vërtet një bekim i madh për qytetin tonë. Një vend pelegrinazhi, besimi, reflektimi dhe vëllazërie i shkon Tiranës sonë; një metropol, në të cilin pavarësisht se ka ngut, nxitim, garë e zell, në atë majë kodre duhet të ketë edhe një vend për të reflektuar, për t’u lidhur me gjërat e shenjta dhe të dëlira”, tha ai.