Gjatë mesnatës, në fshatin Podgorie të Korçës janë ndaluar tre makina të cilat po tentonin blerjen e votave. Ato janë ndaluar nga struktura e mbrojtjes së votës së PD. Kandidati për deputet i PD në Korçë, Edmond Spaho, ka thyer heshtjen zgjedhore duke dalë në një deklaratë për mediat.
Ai tha se janë ndaluar tre makina në kundërshtim të hapur me ligjin. Në prononcimin për mediat, Spaho njoftoi se struktura e mbrojtjes së votës së PD, në fshatin Podgorie, ndaloi tre makina të njësisë administrative Vreshtas me rreth 7 punonjës të kësaj njësie në to. Dy prej makinave të markave Mercedes dhe Wolksvagen të drejtuara nga Soni Laraku dhe Andi Zaqellari u larguan me forcë, kurse makina e tretë e drejtuar nga administratori i Njësisë Administrative Vreshtas Cezar Bezati dhe shoqërues Gerti Tabaku, u bllokua.
Në terren ka qenë edhe kryetari i PS të Podgories dhe njekohësisht zyrtar i Tatimeve Korçë, Izmi Çoçka. Nga ana e përfaqësuesve të PD është kërkuar që makina të kontrollohej, dhe kjo u arrit në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Nga një kontroll i përciptë në vend në makinën e administratorit u gjenden lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie. Listë e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist administratorin Çezar Bezati, liste e shkruar me dorë me emra banoresh të këtij fshati të cilën policia refuzoi ta bejë publike. Edmond Spaho ka apeluar ndaj të gjithë anëtareve dhe simpatizantëve të PD që të vazhdojnë të mbrojnë me çdo mjet vullnetin e qytetarëve për ndryshim nga shitblerja e votës.
“Mbrëmë rreth mesnatës, struktura e mbrojtjes së votës së PD në fshatin Podgorie ndaloi tre makina të njësisë administrative Vreshtas me rreth 7 punonjës të kësaj njësie në to. Dy prej makinave të markave Mercedes dhe Wolksvagen të drejtuara nga Soni Laraku dhe Andi Zaqellari u larguan me forcë, kurse makina e tretë e drejtuar nga administratori i Njësisë Administrative Vreshtas Cezar Bezati dhe shoqërues Gerti Tabaku, u bllokua.
Në terren së bashku me ta ishte edhe kryetari i PS të Podgories dhe njekohësisht zyrtar i tatimeve Korcë Izmi Çoçka. Pasi u njoftua policia, mbërritën forcat e rendit të cilët ushtruan presion për lirimin e rrugës dhe të makinës së bllokuar. Me insistimin e përfaqësuesve të PD u kërkua që makina të kontrollohej dhe kjo u arrit në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme. Nga një kontroll i përciptë në vend në makinën e administratorit u gjenden lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie. Listë e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist administratorin Çezar Bezati, liste e shkruar me dorë me emra banoresh të këtij fshati të cilën policia refuzoi ta bejë publike.
Pas shoqërimit të makinës së administratorit në Drejtorinë e Policisë Korcë dhe pyetjes së administratorit dhe dëshmitarëve okulare, Drejtoria e Policisë vendosi të lirojë administratorin Çezar Bezati dhe shoqëruesin e tij Gerti Tabaku si dhe të ndaloje për bllokim rruge tre simpatizantë të PD, Ahmet Goroveci, Endrison Dushku dhe Fatjon Dushku. Ju bëj thirrje të gjithë anëtareve dhe simpatizantëve të PD që të vazhdojnë të qëndrojnë dhe mbrojnë me çdo mjet vullnetin e qytetarëve për ndryshim nga shitblerja e votës”, tha Spaho.