Gjatë një takimi me kryetarët e bashkive në Pogradec, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se duhet të nisin shërbimet online ashtu si në të gjithë vendin.
“Pse qytetarët nuk kanë nevojë më të presin por mjafton të hyjnë në portalin e bashkëqeverisjes dhe në e-Albania për të marrë dokumentet e tyre. Si mund të mos e kenë të njëjtën gjë edhe në bashki, Kjo është elementare. Dhe nga ana tjetër, si i bëhet me borxhet. Me borxhet që thellohen në disa bashki”, tha Rama.
Kryeministri Rama foli edhe për hotelet ku i vendosi ultimatum pronarëve të hoteleve që vitin e ardhshëm të ndërtojnë depuratorë për pastrimin e ujërave të zeza, përndryshe shtoi ata nuk do e hapin biznesin.
“Sot nëse kemi sezonin më të pastër, kjo vjen si rezultat i një pune të përbashkët por ky është në të njëjtën kohë një mësim i madh për të kuptuar sa shumë gjëra mund të bëhen vetëm duke shkuar fuqinë e qeverisjes. Kemi shtuar një fond, kemi shtuar dhe krahë nga qendra për sezonin veror në disa bashki bregdetare që kanë flukset më të mëdha por nuk është kjo vendimtare.
Si do ia bëjmë me hotelet që ndërkohë që ne mbulojmë Durrësin me kanalizime. Si mund të lejojmë që hotelet të mos kenë depuratorë. Në cilin vend që synon të jetë vend i Champions League në Europë sepse kështu e ka bërë zoti. Çfarë jemi ne, kush jemi ne. Si mund ta pranojmë ne që hotelet hedhin ujërat e zeza në liqen ose në det. Kjo bëhet si po bëhet me pastrimin. Kjo bëhet me ditë natë mbi kokë. Asnjë hotel nuk hapet dot sezonin e ardhshëm nëse nuk do të bëjë dot depuratorë. Është e patolerushme që ujërat e Shqipërisë të ndoten me ujërat e zeza të shqiptarëve. Si do bëhet me Komanin që gjithë hedhurinat nga fshatrat përfundojnë te tragetet”, u shpreh Rama.