Një shtetas 27 vjeçar ka rënë në duar e policisë ditën e sotme në qytetin e Gjirokastrës. Shtetasi me iniciale M.Xh ka qenë i shpallur në kërkim “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.
Sipas policisë shtetasi rezultonte i shpallur në kërkim nga Komisariati Nr. 1 Tiranë. Ngjarja e ndodhur në afërsi të rrethrotullimit të Saukut, ku tre shtetas të arrestuar më parë janë konfliktuar me njeri-tjetri, ku ngelën të plagosur me mjete të forta dy prej tyre.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Shqiponja, në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë të mundur kapjen e shtetasit M. Xh., 27 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.
Ky shtetas është shpallur në kërkim nga Komisariati Nr. 1 Tiranë, pasi në datën 27.03.2022, në afërsi të rrethrrotullimit të Saukut, Tiranë, së bashku me 3 shtetas të tjerë (të arrestuar më parë) janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe si pasojë janë dëmtuar me mjete të forta dy prej këtyre shtetasve. Pas shenjës për ndalim nga shërbimet e Policisë, në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, në dy pikat e kontrollit, shtetasi M. Xh. nuk e ka ndaluar automjetin e tij dhe është larguar me shpejtësi. Menjëherë i janë vënë në ndjekje shërbimet e Forcës së Posaçme Shqiponja dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë, të cilat pas disa minutash bënë të mundur kapjen e tij. Shtetasit M. Xh. iu dorëzua shërbimeve të Komisariatit Nr. 1 Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.