Përplasja fizike mes Luçiano Boçit dhe Gjergj Lucës, u kthye dje në kryefjalën e ditës. Ngjarja u shënua në një lokal në Labinot, ku kandidati demokrat për deputet ishte në një takim me qytetarët. Lidhur me këtë situatë kanë ardhur reagime nga dy palët, dy dëshmi kontradiktore.
Por teksa pretendimet janë të ndryshme, ish-kryeministri Berisha, duke dashur të mbrojë kandidatin për deputet të PD-së në Elbasan, Luçiano Boçi, ka publikuar disa pamje të cilat sqarojnë plotësisht se ku ishte gjeneza e këtij sulmi.
Berisha ka shfaqur pamjet e Boçit duke dhunuar sipërmarrësin Gjergj Luca. Në përpjekje për të denoncuar sipërmarrësin Gjergj Luca, ish-kryeministri ka “denoncuar” publikisht pa fjalë por me pamje ish-deputetin e PD-së, Luçiano Boçi.
Në pamjet e shfaqura nga Berisha, në përpjekje për të mbrojtur Boçin, shihet se si ky i fundit sulmon biznesmenin Gjergj Luca dhe jo e anasjellta. Në videon e publikuar nga doktor Berisha, shihet edhe se si ish-deputeti Boçi, vjedh aparatin celular të sipërmarresit Gjergj Luca.
Nuk dihet nëse doktor Berisha e ka parë videon e qytetarit digjital para se ta shfaqte, apo nuk ka arritur të bëjë dallimin, dhe i është dukur sikur Luca i gjuajti dhe i vodhi telefonin ish-deputetit Luçiano Boçi.
Gjergj Luca ka muaj që është nën sulmin e funksionarëve të opozitës, e kjo ndoshta për shkak të miqësisë së shpallur publikisht të biznesmenit me kryeministrin e vendit Edi Rama.