Sherri për shezlongët që përfundoi me 4 viktima/ SHÇBA nis hetim për blutë e Velipojës, kishin dijeni për konfliktin dhe nuk ndërhynë

Nuk është rasti i parë që policia e di por nuk e “vë ujin në zjarr” kur mes individësh apo fisesh ka konflikte, deri sa pret që ngjarja të përfundojë në tragjedi.

E pra duket se kjo ka ndodhur edhe me masakrën e Velipojës, kur për dy parcela me shezlongë u grindën dhe u vranë 4 persona, në një kohë që policia e zonës bënte “sehir” deri në momentin që u bë kasapanë.

Për këtë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nisi menjëherë hetimin në lidhje me konfliktin mes dy pronarëve të hoteleve, që shkaktoi masakrën me katër të vrarë.

Paraprakisht mësohet se SHCBA-ja ka nisur hetimin për uniformat blu të Velipojës, pasi dyshohet se këta të fundit kanë pasur dijeni për konfliktin mes familjes Gocaj dhe Ferracaku, ngjarje që i mori jetën dhe kamerierit fatkeq, Musaen Zeneli.

Nën arsyetimin se nuk është kompetencë e tyre ndarja e plazhit, efektivët dyshohet se nuk kanë ndërhyrë në zgjidhjen e këtij konflikti dhe as nuk e kanë përçuar këtë gjë tek autoritetet përkatëse.

Kështu konflikti është agravuar ditë pas dite deri në mesnatën e 27 qershorit, kur ndodhi dhe tragjedia.

Konflikti mes dy familjeve për vendin e disa shezlongëve shkaktoi 4 viktima dhe 2 të plagosur. Në vend ndërruan jetë: Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç, ndërsa u plagosën Hasan Ferracakut dhe Elmilind Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut.

Musaen Zeneli është viktima më e pafajshme e kësaj ngjarje të rëndë, që kishte filluar vetëm dy ditë më parë punë si kamerier në hotelin “Gocaj”, për të ndihmuar familjen, të cilën e kishte në gjendje jo të mirë ekonomike.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *