Shkolla “Kongresi i Manastirit” ku ndodhi sherri i dhunshëm mes disa vajzave, ka reaguar për videon që qarkullonte në rrjetet sociale.
Shkolla shprehet se ngjarja ka ndodhur 1 km larg ambienteve shkollore dhe se është njoftuar policia për atë që ka ndodhur.
Reagimi:
Sot në orën 14:45 nga rrjetet sociale jemi vënë në dijeni të një ngjarjeje të rëndë, e cila demonstrohet nëpërmjet një videoje, ku disa vajza dhunojnë njëra-tjetrën. Në përshkrimin e lajmit të dalë në disa media thuhet se kjo ngjarje ka ndodhur në mjediset e shkollës sonë, “Kongresi i Manastirit”.
Sipas informacioneve që siguruam nga prindërit e vajzave, ngjarja ka ndodhur në datën 15 shkurt 2023 në orën 14:00 në vendin e quajtur “Pallati Dilo” rreth një kilometër larg shkollës sonë. Pra theksojmë se kjo ngjarje nuk ka ndodhur në ambientet e shkollës sonë.
Pavarësisht këtij fakti, shkolla u vu menjëherë në lëvizje dhe u bë verifikimi i menjëhershëm i ngjarjes së ndodhur dhe ka kërkuar nga policia e shtetit që ta hetojë dhe të marrë masa për atë që ka ndodhur. Asnjëra nga vajzat nuk e kanë raportuar askund ngjarjen, as tek prindërit e tyre, megjithatë shkolla jonë ka vënë në dijeni prindërit janë nga strukturat e shkollës dhe ata janë paraqitur menjëherë në shkollë me fëmijët e tyre.
Vëmë në dukje se i gjithë stafi i shkollës sonë, mësuesit, shërbimi psiko-social, oficeri i sigurisë, inspektori i zonës, gjithnjë jemi shumë të ndjeshëm dhe të kujdesshëm për të tilla raste, kur bëhet fjalë për mirëqenien fizike dhe mendore të nxënësve tanë, e cila është një prioritet absolut i yni. Sigurojmë të gjithë nxënësit dhe prindërit që shkolla jonë do të jetë gjithnjë mjaft e prerë në vendimet ndaj çfarëdo lloj ngjarjeje apo fenomeni negativ që konstatohet nga ana jonë në ambientet e shkollës sonë, dhe jo vetëm. Faleminderit