Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokuororin e Prokurorisë së Tropojës, Agim Dalipajn. Në seancën dëgjimore për të, Agim Dalipajt iu konstatuan probleme për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmin.
ILDKPKI ka konstatuar fshehjen e një apartamenti me sipërfaqe 53 m2 në Shëngjin gjatë viteve deklaruese 2006-2008, si dhe mungesë burimesh për blerjen e kësaj pasurie, gjë që kanë ngjallur edhe dyshime tek trupa gjykuese e KPK. Ndërsa pastërtia e figurës iu vlerësua pozitivisht. Megjithatë kjo nuk ka mjaftuar për ta mbajtur në detyrë.
Hetuesi Dalipaj e ka filluar karrierën në vitin 1992 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokuror i Prokurorisë së Lezhës. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin si prokuror i emëruar në Tropojë.